Veliaj: “Berishës iu gris maska e të pakorruptuarit dhe patriotit
Kryetari i G99-s, Erion Veliaj, tha se deklaratat e ambasadorit Uidhers po konfirmojnë se kryeministri Berisha është në rrugë të mbrapshtë. “Në deklaratën e zotit Uidhers është fakt se ka një konsensus të përgjithshëm që zoti Berisha e ka gabim. Opozita po thotë që zoti Berisha e ka gabim këtë sulm që po bën ndaj Prokurorisë, shoqëria civile po thotë që zoti Berisha e ka gabim, mediat shqiptare po thonë çdo ditë që zoti Berisha e ka gabim, tani dhe gjithë komuniteti ndërkombëtar po thotë që zoti Berisha e ka gabim. Zoti Berisha e ka aq gabim, saqë ka dhe anëtarë të denjë të Partisë Demokratike që thonë që ai e ka gabim. I vetmi që mendon se ka të drejtë është vetë zoti Berisha, i cili sot është gjithmonë e më shumë në minoritet dhe absolutisht i vetëm në çmendurinë e tij për të shuar institucionet e pavarura në Shqipëri. Sot kemi kuptuar që Berisha nuk ka problem emrin që drejton Prokurorinë, emrin e kryeprokurorit ose kryeprokurores. Zoti Berisha ka problem vetë ekzistencën dhe vetë prezencën e Prokurorisë si një institucion i pavarur në Shqipëri. Zoti Berisha përpara ca kohësh bëri një analizë qeveritare 7-mujore, e cila ishte qesharake në mashtrimet e saj. Sot ka ardhur koha që të bëjmë një analizë 7-mujore të qytetarëve të Shqipërisë”, - tha Veliaj.
17 Tetor 2008