E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krerët e shtetit, operacionet sekrete

Historia e ndërhyrjeve kirurgjikale. Në 2006-n, Berisha zbuloi operacionin e Moisiut

Replikat e fundit mes Kryeministrit Sali Berisha dhe Partisë Socialiste për ndërhyrjen kirurgjikale të shefit të qeverisë pak ditë më parë në këmbë kanë risjellë në vëmendje historitë e operacioneve “sekrete” të krerëve të shtetit. Berisha nuk rezulton të jetë i vetmi që ka kryer ndërhyrje, pasi të njëjtën gjë kanë bërë Fatos Nano, Alfred Moisiu apo edhe Edi Rama. Në të shumtën e rasteve ata janë përpjekur t’i mbajnë të fshehura këto detaje për publikun, megjithëse gjithçka ka dalë në dritë. Kjo është bërë e mundur në disa raste për shkak të hulumtimit të thellë të medias dhe në rastet e tjera si pasojë e rivalitetit politik apo marrëdhënieve të krisura mes institucioneve.

Nano

Ish-kryeministri Fatos Nano është personi që mban rekord ndër drejtuesit politikë për rastet e ndërhyrjeve kirurgjikale. Në vitin 2001, në kohën kur Nano mbante vetëm postin e kryetarit të Partisë Socialiste, si forca më e madhe e mazhorancës, ai u përfshi në një aksident automobilistik. Në një nga rrugët kryesore jashtë kryeqytetit, makina e shefit të selisë rozë pësoi një rrokullisje, çka i shkaktoi Nanos dëmtimin e duarve. Pas ngjarjes, lideri i Partisë Socialiste udhëtoi drejt kryeqytetit grek. Atje kreu ndërhyrjen kirurgjikale në duar, duke i vënë nën terapi, me synim rigjenerimin e gishtave të këputur. Kurë kjo që vazhdoi për një kohë të gjatë për kreun e mazhorancës së atëhershme. Rasti i dytë i ndërhyrjeve kirurgjikale ishte viti 2002, koha kur Nano udhëtoi drejt Turqisë për një ndërhyrje në sy. Pas kësaj do të mund të bëhej realitet edhe heqja e syzeve dhe përmirësimi i shikimit të Nanos.

Moisiu

Ish-presidenti Alfred Moisiu kishte bërë dy operacione në Turqi, teksa në prillin e vitit 2006 do të binte në sy një “luftë nervash” mes Kryeministrisë dhe Presidencës. Alfred Moisiu u nis drejt Turqisë, vend ku realizoi një ndërhyrje në prostat. Brenda pak ditësh ai do rikthehej në Shqipëri pas një operacioni të suksesshëm. Ndërsa zyra e Këshillit të Ministrave nuk do të harronte që të bënte publike një mesazh drejtuar Presidentit. Në të, Moisiut i urohej shërim i shpejtë dhe kryerja e një operacioni të suksesshëm. Veprim ky që nuk duket se u përcoll mirë nga ana e kreut të shtetit, që deri në atë moment e kishte mbajtur jashtë vëmendjes së opinionit publik ndërhyrjen kirurgjikale.

Berisha

Por do të mjaftonte kalimi i pak ditëve dhe Kryeministri Sali Berisha udhëtoi drejt kryeqytetit austriak për një ndërhyrje kirurgjikale. Kreu i qeverisë dhe Partisë Demokratike ju nënshtrua një trajtimi mjekësor për problemet me veshkat. Nuk kishte si ndodhte ndryshe, dhe pas kësaj zyra e shtypit pranë kreut të shtetit shfrytëzoi rastin për t’i dërguar një mesazh Kryeministrit Berisha. Në të i uronte shërim të shpejtë dhe operacion të suksesshëm, një veprim për t’i kthyer “borxhin”.

Rama

Në fund të korrikut të vitit 2006, kreu socialist Edi Rama udhëtoi drejt Vjenës, ku ju nënshtrua një operacioni për të eliminuar një devijacion në pjesën e hundës. Kjo, e shkaktuar nga dhuna që qe ushtruar ndaj tij në vitin 1996, kur qeveriste Partia Demokratike. Në ngjarjen që mban si datë vitin 1996, në afërsi të shtëpisë së tij, Rama qe goditur dhunshëm me levë pas kokës nga persona të panjohur.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›