Kreshnik Qato më 3 mars kundër rusit Aleksandër

Boksieri shqiptar që ka fituar shumë tituj si brenda vendit ashtu edhe jashtë, Kreshnik Qato doli dje në një konferencë për shtyp në amjentet e hotel "Rogner" për të folur për planet e tij gjatë këtij viti dhe për ndeshjen më të afërt që do ta zhvillojë në fillim të marsit. Konkretisht boksieri durrsak do të ndeshet në datën 3 mars me rusin Zaitsev Aleksandër për titullin e kampionit të Europës për vendet ekstra-komunitare. Dhe ajo që është më interesante ka të bëjë me faktin se takimi do të zhvillohet në Shqipëri dhe pikërisht në pallatin e sportit "Asllan Rusi".Kjo u bë e mundur nga Federata më e madhe e boksit, EBU, e cila i dha të drejtën kompanisë "Yldon" që sponsorizon prej një viti boksierin shqiptar që ndeshja të zhvillohej pikërisht në Shqipëri përpara sportëdashësve të shumtë në vendin tonë të këtij sporti dhe vecanërisht të kampionit shqiptar. Gjatë konferencës së dhënë dje për shtyp boksieri Qato bëri të ditur organizimin e kësaj ndeshjeje dhe falënderoi presidentin e kompanisë "Yldon Bullit", Ylli Ndroqi për ndihmën që ky i fundit dha në organizimin e takimit në Shqipëri. "Në datën 3 mars unë do të ndeshem me boksierin rus Zaitsev Aleksandër për titullin "Kampion Evrope për shtetet ekstra- komunitare". Federata më e madhe e boksit, EBU, i dha të drejtën kompanisë "Yldon" dhe gjithashtu të gjithë shqiptarëve, që ndeshja e madhe të zhvillohet në Tiranë dhe pikërisht në pallatin e sportit "Asllan Rusi. Është një kanaqësi dhe një ëndërr që unë të realizoj një aktivitet të madh për Kampion Europe dhe për këtë më mbështeti sponsori im Ylli Ndroqi. Dua që t'i bëj shqiptarët që të ndihen vërtetë shqiptarë jo vetëm në Shqipëri por kudo ku ndodhen" përfundoi Qato. Në korrik 2006 boksieri shqiptar nënshkroi kontratën me Ylli Ndroqi, president i kompanisë "Yldon Bullit Energy Drink", që parashikon një bashkëpunim të gjatë, duke mundësuar edhe ndeshjen e Qatos për fitimin e titullit kampion të Anglisë Qëndrore. Që nga ajo kohë, Qato ka zvilluar tre ndeshje, një në Shqipëri dhe dy në Londër, duke i fituar të dyja. Kreshnik Qato ka një karrierë të pasur. Në vitin 1992 ai fiton titullin kampion vendi për të rinjtë, në vitin 1996 fiton titullin e boksierit më luftarak të kampionatit kombëtar për të rritur. Një vit më vonë merr titullin "Kampion Ballkani". Ndërkohë, në dhjetor 2006 ai merr titullin Kampion i Anglisë Jugore.