Një intervistë me Tzvetan Todorov "Pse jam krenar qe jam evropian"
Tzvetan Todorov
“Në ditën time ndihem pothuajse gjithmonë “evropian”, sidomos qyshkur Bullgaria, vendlindja ime, është futur në Bashkimin Evropian”, - rrëfen Tzvetan Todorov, i cili i shikon “në tutelën e diversitetit dhe në detyrimin e tolerancës” themelet e identitetit evropian. Filozofi dhe gjuhëtari franko-bullgar, autor kohët e fundit i librit Letërsia në rrezik, e mban veten “krenar” që është evropian, uron një integrim politik kontinental më të madh, por mendon se traditat kombëtare nuk janë të destinuara të zhduken (“Nuk besoj se do të arrijmë kurrë të flasim “evropiançe””). Autori i Pushtimit të Amerikës dhe i Ne dhe të tjerët më së fundi shpreson që Tony Blair të mos bëhet President i Bashkimit Evropian dhe fton që të mos identifikohet kultura e emigrantëve myslimanë vetëm me fenë e tyre: “Për këtë arsye nuk besoj në idenë e një përplasjeje midis Perëndimit dhe Islamit”.
Tzvetan Todorov, ju na kini dhuruar refleksione magjepsëse lidhur me vlerat evropiane, por a është e mundshme të flitet për një “identitet evropian” dhe, sipas mendimit tuaj, cilat janë vlerat kryesore të Evropës?
Jo, nuk besoj se në realitet është e drejtë të hartohet një listë renditjeje e vlerave të Evropës. Ai evropian është një identitet i hapur, gjithmonë në ndryshim dhe i gatshëm të gëlltisë dhe të pasurohet me elementë të rinj. Por në të njëjtën kohë nuk është një identitet aspak “arbitrar”. Me këtë dua të them se Evropa ka konceptuar një “status për diferencat” specifik dhe është pikërisht kjo prerogativa e vërtetë e kontinentit të vjetër respektivisht qytetërimeve dhe entiteteve të rëndësishme të përbëra si Kina, Shtetet e Bashkuara apo deri Rusia, ku mbizotëron një tendencë e caktuar për të homologuar shoqëri edhe tejet heterogjene nën të njëjtën ombrellë vlerash dhe në një organizim qendror të vetëm. Specifiteti i Evropës dhe i Bashkimit Evropian në veçanti qëndron në tutelën e diversitetit të anëtarëve të vet dhe, njëkohësisht, në njohjen e një statusi të veçantë të vetë atyre, gjë që përkthehet mbi të gjitha në detyrimin e tolerancës (jo më luftëra reciproke) dhe, më në përgjithësi, në një fermentim idesh e opinionesh të plazmuara nga kritika dhe nga konfrontimi me pikëpamjen e fqinjëve të vet. Së fundi, një prej objektivave tanë është zbatimi i modelit statusor që më shumë se dy shekuj më parë Jean-Jacques Rousseau e përshkruante dhe e identifikonte me “vullnetin e përgjithshëm” dhe ky i fundit – domethënë i të gjithë komunitetit dhe, në rastin tonë, i kontinentit – në asnjë rast nuk mund të pasqyrohet në një marrëveshje totale, uniforme, midis të gjithë anëtarëve. Në fakt, konkretizohet në një rreze vlerash që mbajnë parasysh edhe diferencat më të vogla (natyrisht, përveçse më të spikaturat). Ky “status i diferencës” i veçantë, ky pluralitet tek bashkimi ndërton aspektin më të spikatur të Evropës. Kështu, sipas mendimit tim, kjo e fundit nuk duhet të identifikohet me një përmbajtje substanciale specifike, por me një model, një formulë në virtyt të së cilës përmbajtjet e ndryshueshme dhe mospërputhëse të mund të bashkekzistojnë.
A ka ndoshta një moment të veçantë në jetën e përditshme në të cilin ndiheni se jeni “evropian”?
Po, sigurisht. Bile mund t’ju them se ndihem pothuajse gjithmonë “evropian”, sidomos qysh kur Bullgaria, vendlindja ime, është futur në Bashkimin Evropian dhe kjo është një ndjesi që forcohet ditë pas dite: megjithëse duke jetuar në mënyrë fikse në Francë dhe megjithëse kthehem në atdhe vetëm në raste të rralla, besoj dhe di që një aspekt themelor i personalitetit tim është plazmuar nga fëmijëria dhe nga rinia e hershme të kaluara në Bullgari. Ja pse hyrja e saj në një entitet të tillë si është Bashkimit Evropian ka përfaqësuar për mua një etapë kaq të rëndësishme. Realisht, në situata të caktuara, ndihem francez më shumë sesa evropian, pasi e tillë është shtetësia të cilën gëzoj në këtë moment dhe çdo herë që kaloj kufirin dhe më kërkojnë dokumentet, ajo që tregoj është pasaporta franceze, jo ajo evropiane. Por përveç kësaj, mbetet shumë e fortë tek unë ndjenja e shtetësisë “evropiane”: jam shumë krenar për traditën e këtij kontinenti dhe jam krenar që i përkas një entiteti që bën pluralizmin dhe kompleksitetin karakteristikat e tij më të spikatura, megjithëse duke mos kontribuar kushedi se çfarë për ta ndërtuar. Evropa, kjo nënkuptohet, përfshin edhe shumë faqe të dhimbshme dhe jo pak anë të errëta, por mbetem i bindur se është e mundur të projektohet një model pozitiv duke u nisur nga historia e saj dhe është në këtë model që projektoj dhe identifikoj personin tim.
A do të vijë ndonjëherë dita në të cilën do ta quajmë veten “evropianë” në vend të francezë, italianë e kështu me radhë?
Nuk do të isha dhe aq i sigurt. Shikoni, atje ku ruhet një shtetësi apo identifikohet me një spektër vlerash, ja që futen, si të thuash, forma ngjitjeje në shkallë të vogël. Njëra prej këtyre është pastërtisht kulturore, por kultura është thellësisht e lidhur me gjuhën dhe nuk besoj se do të arrijmë ndonjëherë të flasim “evropiançe”, një lloj hibridi midis gjuhëve të ndryshme evropiane. Do të vazhdohet të flitet gjermanisht, spanjisht, frëngjisht, italisht, edhe si gjuhë e përbashkët: por është pikërisht kështu që momentet më të rëndësishme të jetës sonë të përditshme ndërfuten në identitetin kulturor, i cili, siç po thosha, nganjëherë është i ankoruar në realitete shumë më të vegjël, rajonalë apo lokalë: ka që ndjehen “katalanas”, “sicilianë”, “piemontezë”... Nuk e shikoj se për çfarë arsyeje duhet fshirë e gjitha kjo. Sot një vend është në thelb një hapësirë solidariteti më shumë se vlera të përbashkëta. Të gjitha shtetet anëtare të Bashkimit Evropian ndajnë të njëjtat vlera politike dhe morale – domethënë, më të rëndësishmet – por jo të njëjtën hapësirë solidariteti. Përkrahja sociale, si të thuash, u garanton një tutelë të caktuar qytetarëve në nivel shëndetësie, pensioni dhe arsimi dhe është e lidhur me entitetin e veçantë statusor. Kështu që nuk shikoj se pse shteti duhet të zhduket. As nuk jam i bindur që një sistem përkrahjeje sociale i zgjeruar në të gjithë Evropën mund të ofrojë rezultate më të mira respektivisht formulave të zbatuara në Francë, në Gjermani apo në Itali. Në të vërtetë mendoj se është e nevojshme të pranohet përkatësia në entitete të ndryshme, pak a shumë të shtrira dhe të përhapura. Jemi plotësisht në gjendje: qenia njerëzore di shumë mirë se si t’i përshtatet një pluraliteti përkatësish.
Kështu që ju nuk e dëshironi “një shtet federal evropian”?
Është një mundësi që nuk e përjashtoj. Gjithsesi, ajo që më intereson nuk është emërtimi i saj. Regjistroj me kënaqësi integrimin në rritje të sistemit të mbrojtjes dhe atij gjyqësor, integrim që megjithatë ka nevojë absolutisht të fuqizohet. Në veçanti uroj një integrim më të madh ekonomik, në dritën e nevojës së tutelës nga efektet perverse të globalizimit dhe vetëm hapësira evropiane, jo shtetet kombe të veçanta, mund të garantojnë tashmë një mbrojtje të tillë. Ekziston një rreze e gjerë realitetesh dhe aspektesh, sipas së cilës një integrim evropian më i fortë do të ishte më shumë se oportun, domethënë i urueshëm. Kështu që besoj se ka realitete të tjera më drejtpërsëdrejti të lidhura me gjuhën apo me përvojën e komuniteteve të vogla dhe se duhet të gjendet për secilën prej tyre hapësira më e përshtatshme, pa paragjykime dogmatike.
Sipas mendimit tuaj, a ekzistojnë diferenca të fuqishme midis identitetit evropian dhe atij amerikan apo hendeku mund të mbushet, për shembull, nga fitorja e Barack Obama-s në zgjedhjet presidenciale amerikane?
Hëm, mendoj se programi dhe personaliteti i Barack Obama-s pa dyshim që mund të ngjallin midis evropianëve konsensuse më të mëdha sesa Presidenti akoma në fuqi. Fitorja e tij në zgjedhjet presidenciale nuk do t’i jepte modifikime strukturore raporteve midis Evropës dhe Shteteve të Bashkuara që, duhet kujtuar, janë të dyja një flamur i Perëndimit. Po, evropianët do të mbesin aleatë të amerikanëve. Të jesh “aleat” nuk do të thotë të ndash gjithmonë dhe gjithsesi të njëjtat pikëpamje dhe a e dini pse? Sepse Shtetet e Bashkuara janë një shtet-komb. Domethënë janë një shtet unik që megjithëse duke pasur diferenca në nivel rajonal, është i pajisur me një qeveri, një Senat, një Parlament një gjuhë të vetme e kështu me radhë dhe, për shkak të rëndësisë së jashtëzakonshme të saj si fuqi ushtarake, industriale dhe financiare, luan pashmangshmërisht një rol strategjik në nivel global. Krejtësisht tjetër është historia e Bashkimit Evropian. Këtu jemi përballë një zbulimi të jashtëzakonshëm: zbulimin e aftësisë nga ana e 30 shteteve apo më pak, që të takohen dhe të mësojnë të bashkëjetojnë pa qenë njëri përpara apo përmbi tjetrin. Ka mundësi të shkëlqyera që një luksemburgas vitin e ardhshëm të rrëmbejë zgjedhjen për presidencën e Evropës. Sikur të ndodhte kështu, do të asistonim në një ngjarje tejet domethënëse dhe, për mua vetë, është shumë entuziazmuese: në fakt, të japësh një kolltuk kaq të rëndësishëm ku do të ulej jo një Napoleon i ri dhe aq më pak një Hitler i ri, që u jep urdhra të gjithë të tjerëve, por dikush që aspiron ndaj vullnetit të përgjithshëm të cilin theksoja më parë, me këtë kapacitet për të mbajtur parasysh të gjitha diferencat dhe pikëpamjet e ndryshme të qytetarëve. Veç të tjerash, jam fuqimisht u bindur se Evropa dhe Shtetet e Bashkuara ruajnë një të kaluar tejet të ndryshme, e cila, ka mundësi, shpjegon pamundësinë e një identiteti pikëpamjesh të tyre. Kontinenti evropian është banuar prej shekujsh e shekujsh nga popullsi të rrënjosura mirë në territor dhe me një vetëdije të thellë të kaluarës së tyre, të traditave respektive. Kurse e ashtuquajtura “Botë e Re” është e populluar nga emigrantë të zbarkuar jo shumë kohë më parë, rrënjët e të cilëve janë tjetërkund dhe që projektohen nga e ardhmja më shumë se nga e kaluara. Tani, e gjitha kjo përkthehet në një seri avantazhesh dhe përfitimesh për “Botën e Re”, por ofron ndonjë implikim pozitiv edhe për evropianët, pasi që në kontinentin e vjetër mësimet e së kaluarës janë shumë më të gjalla dhe të pranishme. Më godet fakti që vendet evropiane nuk duken aspak të tunduara ndaj projektesh perandorake të reja, në qoftë se mendojmë se shumë prej tyre – sidomos Franca e Britania e Madhe, por edhe Gjermania, Belgjika, Holanda, Italia e Spanja – kanë mbi shpatulla një histori të gjatë koloniale. Në mënyrë të dukshme, kanë ditur të nxjerrin mësime nga e kaluara dhe nuk janë më të tunduar të dominojnë botën duke kontrolluar kalimin Veri – Perëndim, vendburimet e naftës në Lindje të Mesme dhe plantacionet e bananeve në Amerikën Latine… Guxoj të theksoj se e gjitha kjo shtrihet jashtë nga horizonti i imagjinatës evropiane dhe se duke u qëndruar hipotezave më të mira, të dy kontinentet do të jenë në të ardhmen aleatë joidentikë, me ndonjë objektiv të përbashkët, por edhe me një seri diferencash, dhe njëri mund të kontribuojë në riekuilibrimin e pozicionit të tjetrit.
Tony Blair do të ishte një Napoleon i njomë…
Tony Blair ka mbi shpatullat e tij një të kaluar të rëndë. Një të kaluar prej lideri politik që ia ka nënshtruar krejtësisht linjën politike të vendit të tij jo konsensusit të Bashkimit Evropian, por aventurës militaristike të Shteteve të Bashkuara. Nuk besoj aspak se kjo përfaqëson një kartë të fortë për një kandidat për President të Evropës. Veç të tjerash, Tony Blair duket se i nënshtrohet idesë se është e mundur të imponohet demokracia me zhurmën e bombardimeve dhe duke pushtuar vende të treta: një pozicion ky që e konsideroj absolutisht antievropian.
Islami dhe Evropa. Çfarë mësimi mund të nxjerrim nga përplasja midis aztekëve dhe konkuistadorëve spanjollë? Është e drejtë të krijohet një dialog me personazhe të tillë si Tariq Ramadan i cili, megjithëse duke adoptuar shpesh qëndrime të diskutueshme (si në rastin e Panairit të Librit në Torino), gjithsesi mishërojnë një alternativë demokratike në botën myslimane?
Përplasja midis evropianëve dhe aztekëve na jep një mësim tejet të trishtuar dhe të dhimbshëm. Këta të fundit thelbësisht u nënshtruan e u masakruan dhe u deshën të kalojnë deri shekuj përpara se identiteti aztek të mund të rivendikohej sërish. Kështu që duhet të urojmë që përplasja midis realiteteve të mëdha kulturore të mos përsërisë skenarin e pushtimit të Amerikës, një përplasje pak të thuash tragjike që më pas u ka dhënë stimul gojëdhënave të jashtëzakonshme, për të cilat megjithatë dukshëm nuk mund të kënaqemi… Për sa i përket përplasjes midis vendeve evropiane dhe islamike, besoj se është e nevojshme të niset nga një premisë: është e gabuar të identifikohet sjellja e qindra milionë (në mos më shumë se 1 miliard) njerëzve me fenë respektive të tyre. Për këtë arsye nuk besoj në idenë e një përplasjeje midis Perëndimit dhe Islamit. Duke e konfiguruar këtë përplasje me formula të parafabrikuara të gjinisë, nuk bëhet gjë tjetër veçse komprometohet dhe deformohet natyra e vetë asaj. Myslimanët nuk përbëjnë aspak një nënspecie të veçantë të racës njerëzore të përcaktuar në tërësi nga feja, ndryshe nga kinezë, indianë apo evropianë, që do të kalonin në plan të dytë çfarëdo impulsi dhe vendosmërie … Me pak fjalë, nuk besoj se jemi në mes të një “emergjence Islam”. Përkundrazi, duhet të sforcohemi për disa kohë që t’i harrojmë dhe të përballojmë sfidat konkrete politike, sociale, ekonomike dhe demografike të paraqitura nga këto rajone të botës. Duke thënë këtë, nuk shikoj se pse nuk mund të vendoset një dialog me Tariq Ramadan apo këdo qoftë, boll që bashkëbiseduesi të mos synojë të na godasë me plumba dhe bomba... Në qoftë se “tjetri” e pranon formën e dialogut verbal, besoj se është me vend nga ana jonë të jepet prova e një hapjeje ekstreme. Megjithatë, nuk do të dija të thosha se sa në realitet është e fortë dhe sidomos mbi cilët mund të ketë efekt impakti i shkrimeve dhe i fjalëve të Tariq Ramadan… Ka mundësi, mbi myslimanët banorë në Itali, në Francë apo në Vendet e Ulëta më shumë se mbi homologët e tyre në Siri, Irak apo Indonezi. Kuadri është jashtëzakonisht laraman e i dëmtuar dhe Tariq Ramadan tani të jep përshtypjen se identifikohet me vlerat themelore demokratike dhe në këtë rast nuk ka kurrfarë vështirësie në vendosjen e një dialogu me të, përkundrazi: gatishmëria e personazheve të ngjashëm ndaj takimit duhet përshëndetur me entuziazëm – tani shfaqet si ithtar pozicionesh me gjurmë të forta fetare dhe, siç e dini mirë, në qoftë se çdonjëri vë Zotin në vendin e parë, vendosja e një kontakti frytdhënës bëhet tejet e komplikuar. Për ta thënë me fjalët e Max Weber-it, shpërthehet një “Luftë midis Zotash” nga e cila bëhet e pamundur të dilet. Dialogu mund të sjellë fryte të shumta, boll që termat e konfrontimit të mbesin të kufizuar në sferën njerëzore. Sapo rrëshiqet në një përplasje midis hyjnish, ja që gjithçka bëhet më e vështirë.
Përgatiti
ARMIN TIRANA