Kush dëmton sovranin, ndihmon shejtanin!
“Vota që të jep populli, është komandë” - Napoleon
PS-ja duhet të jetë e lumtur që populli e pranon si shërbestare. Kurse kjo e mban veten si “dhía e krimbur me bishtin përpjetë”. Kur sovrani i dha vota sa të qëndrojë në opozitë, nuk i takon PS-së të hedhë vicka, duke dëmtuar imazhin e zgjedheve. Ndaj cilit autoritet përpiqet të “hakmerret” kështu PS-ja? Ndaj sovranit? Ndaj atij që e ka lejuar të krijohet për t’i shërbyer? Kurse populli i do partitë me dinjitet. I porosit ato të mbrojnë të drejtat e tyre, pa harruar sidomos votën e tij. Por ama ka mijëra mënyra për ta bërë këtë. Ankimimet janë vërtet një element i demokracisë. Por ato nuk janë krijuar që të djegësh për një plesht jorganin? Kurrë drejtësia nuk i shërben shkatërrimit. Përkundrazi! Vonesa e nxerrjes së rezultateve është përgjegjësí e humbësve socialistë. Nuk ta ka dhënë sovrani lirinë të tallesh me verdiktin e tij. Nuk prishet dasma për një kokërr limon - thotë populli. Mandatin që pretenduan në Fier, e morën. Vetëm harbuti të kërkon krahun, po i dhe gishtin. Nëse e njeh sovranin për të tillë, nuk duhet ta dëmtosh me ankimimet e tua pa fund. Çdo gjë ka një kufi. Socialistët po sillen sikur janë vetë sovrani. Madjé, kështu duken sikur po i hipin atij në zverk. Po del, pra, bishti më i rëndësishëm se sqepari. I zoti (sovrani) po hesht, ndërkohë “gomari” tenton t’i vërë atij samar në shpinë. Ky mentalitet buron nga koha e “qoftëlargut”. Ajo kohë, kur në emër të popullit torturohej vetë populli. Komunizmi u ngrit për “njeriun e rí” dhe e katandisi atë të mos njihte veten. Demokracia Popullore - ka thënë një i ditur - ka qenë “kopaçja e popullit për popullin”. Duke bërë, gjoja, ç’donte populli, komunizmi ia ngarkoi këtij krimet e veta. Gomari (Partia Komuniste) i vuri madjé “samar” sovranit. Populli mbajti përgjegjësítë (hëngri kopaçen!), ndërsa meritat (privilegjet) i vodhi partia. Me luftën e klasës kjo e bëri sovranin të “kënaqur”. Të mjerin mund ta “lumturosh” edhe duke e detyruar të mendonte se kishte më keq. Me vijën e masave i kundërvuri të gjithë kundër të gjithëve. Bumerang ky që solli pasojën “Revolucioni ha bijtë e vet!”. Megjithatë, populli, si i zgjuar, pëshpëriste: “Kur zihen atllarët, shkelmat i hanë gomarët!”. Vështirë të gjendet në Historí një periudhë, ku të zotit t’i ketë vënë “samar” gomari (shërbestari). Vetëm ditën e votimit, socialistët shtiren si shërbestarë të devotshëm. Nëse i fitojnë zgjedhjet, e miklojnë atë edhe ca ditë të tjera. Po u mundën, nisin menjëherë pakënaqësitë. Fillojnë nga ankesat pa arsye. Nga protestat e kota. Nga denoncimet pa skrupull. Egoizmi i tyre nuk njeh tani më autoritet. Nuk mund të njohë tjetër sovran, ai që është mësuar të sillet si Perëndí. Nuk pranon të mundet me copa letre (fletë votimi), ai që dje arrestonte qindra njerëz të pafajshëm ditën e zgjedhjeve. Kush i ka rrëmbyer votat me daulle, nuk çmon standarte dhe imazhe demokratike. Jo pa qëllim socialistët po vonojnë procesin e nxjerrjes së rezultatit të zgjedhjeve. Të gjithë harbutët spekulojnë me lirínë. Një i ditur ka thënë: “Nuk është bërë mjalti për gojën e gomarit!”. I ligu edhe tolerancën e merr për dobësí. Heshtjen e së djathtës socialistët e kanë marrë si frikë të heshtur nga një humbje imagjinare. Janë mësuar mëkatarët e majtë me “armiq të stisur”. Gjithmonë kështu kanë vepruar ideatorët e demokracisë së “kopaçes”. Edhe shpifnin kundër teje, edhe të torturonin pse nuk i pranoje sajesat e tyre. Sovrani i ndëshkoi socialistët në këto zgjedhje me një votim qetësisht shëmbullor. Asnjëherë nuk ka votuar Shqipëría me kaq urtësí e bindje për atë që donte. Ndoshta kjo i ka revoltuar më shumë socialistët. Se, ndonëse u përgatitën për të justifikuar humbjen, përsërí nuk po pajtohen me verdiktin e sovranit. Ata nuk po njohin, madje, as vendimet e komisionerëve të tyre. Duke qenë drejtues pa virtyte, pushtetin socialistët e barazojnë me dinjitetin, nderin dhe, madjé, jetën e tyre. Kush i voton kundër, nuk mund të jetë veçse armik. A nuk shpallën ata tradhëtar çdo të majtë, që votonte për LSI-në? A nuk e bënë ata të tillë këtë forcë, që iu lut t’i mbronin së bashku votat? Por nuk mund të bëhej ortak hajduti! Ata pranuan dhe të humbisnin, mjafton që të humbiste LSI-ja! Gjithmonë socialistët janë udhëhequr nga sadizmi “Të shoh nënën pa burrë, pa le të mbetem pa baba!”. A nuk mallkuan edhe Konventën e LSI-së, që miratoi “Aleancën për Integrim”? (Kur ishin gati të bashkëpunonin vetë me PD-në?). Prandaj socialistët lypsen gjykuar si kontradiktorë delirantë. Humbja e zgjedhjeve i ka çoroditur. Me ulërimat për numërim të të gjitha kutive po vërtetojnë se nuk janë çliruar nga sentenca “Për ronxhobonxhot, ambicia për pushtet qëndron mbi të gjitha pasionet”. Si mund të bërtasë kaq i kënaqur një shqiptar, duke i shpallur zgjedhjet të manipuluara? Edhe një ithtar i ideologjisë së marrjes së pushtetit me çdo kusht e me çdo çmim do të mendohej para se të humbiste kështu qetësínë. “Alarmi i tepruar - thonë - është më dëmprurës se vetë fatkeqësía”. Edvin Rama i paska dashur fukarenjtë si mercenarë. Të paktën t’i kishte ruajtur lotët e krokodilit, t’i përdorte sot për t’u “shfajësuar” para shokëve për humbjen! Kurse ai, që shpresoi ta votonin dhe të djathtët, nuk mund të pajtohet sot me braktisjen që i bënë edhe të majtët e tij! Kush lakmon thelën e madhe - thotë populli - humbet edhe atë që ka në gojë. Inati është hasmi i kokës! Ilir Meta për socialistët paskësh qenë tradhtar. E djathta u bëka copë, gjoja, për interesa klanore. KQZ-ja qenka e telekomanduar nga ata që i kanë hipur kalit me shalë. Gjithë fitimtarët e zgjedhjeve na qenkan, sipas humbësve, shkaktarët e mos-heqjes të vizave. Minimizími i korrupsionit paska prishur imazhin e Shqipërísë. Futja në NATO qenkërka, sipas tyre, vetëm një koincidencë “fatlume”. Ndërtimi i rrugëve historike paska stimuluar vetëm vjedhjen dhe regresin.
Sikur të ngriheshin të gjithë shqiptarët dhe të bërtisnin në sheshin “Skënderbej” se nuk duan të qeverisen nga socialistët, ka rrezik që të akuzoheshin prej tyre si të manipuluar prej tradhtarësh! Kurse e djathta, duke u njohur pasionet e sëmura, i ka lënë të lirë “lehin” sa të duan. Megjithatë, asnjë i djathtë nuk kënaqet me poshtërimin që Edi Rama me shokë po i bëjnë vetes, duke mohuar kështu verdiktin e sovranit! Kush e pranon me zemër të hapur verdiktin e tij (sovranit), i krijon vetes besim për një të ardhme serioze!
...