E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kreu i "Alpet": Qëllimi ynë, cilësi e lartë dhe përgjegjësi

Kompania "Alpet" mbush katër
vjet në tregun shqiptar të karburanteve
dhe për këtë fakt
drejtuesit e saj ndihen krenarë
për atë çfarë kanë ofruar deri tani. Cilësia
dhe përgjegjësia ndaj konsumatorit,
janë dy synimet kryesore të drejtorit të
"Alpet", Ibrahim Aktoz, i cili në intervistën
dhënë "Shqip"-it, tregon planet
për të ardhmen dhe çfarë po bëhet me
përmirësimin e vazhdueshëm të cilësisë
së naftës. Aktoz flet edhe për vendimin e
qeverisë, privatizimin e ARMO-s dhe për
hetimin e Autoritetit të Konkurrencës.
Mund të na thoni sesi mbërritët në
Shqipëri? Cilat ishin arsyet që zgjodhët
vendin tonë për të investuar?
Kompania "Alpet" ka mbërritur në
Shqipëri në janar të vitit 2005. Atë vit u
hapën 20 pika karburanti të shitjes me
pakicë. Në 2006 pikat arritën në 60, në
2007 në 80, ndërsa në 2008, kemi arritur
në 100 pika karburanti në të gjithë Shqipërinë.
Pra tani në janar mbushim 4 vjet
në Shqipëri dhe na gjen me 100 pika karburanti.
Si arritëm deri këtu? Ne si grup
"Alpet" kemi 600 pika në Turqi, në Qipro
kemi 60 pika ndërsa në Shqipëri 100
pika. Në fillim e kemi dhe vazhdojnëmë
ta konsiderojmë Shqipërinë si një vend
shumë strategjik në Ballkan. Kemi një
marrëdhënie afro 500-vjeçare. E treta,
ne e konsiderojmë Shqipërinë si porta
hyrëse drejt Evropës dhe mundësia për
t‘u zgjeruar në Ballkan. Një tjetër arsye
lidhet me vijën bregdetare, rreth 450 km
të gjatë, e cila shërben si pikë kryesore
në drejtim të zhvillimit të turizmit. Pikërisht
pranë kësaj vije bregdetare janë
të shtrira kryesisht pikat tona të shitjes.
Në fillim mund t‘ju them se tregu i karburanteve
në Shqipëri nuk ishte dhe aq
i zhvilluar. Në treg kishte vetëm 1 mijë
pika shitjeje me pakicë. Po ashtu, shërbimi
dhe cilësia kishin një nivel shumë
të ulët. Strategjia jonë u bazua në tre
operacione. E para ishte uniforma e
kompanisë tonë, pra me një standard të
njëjtë investimi për të gjitha pikat. E dyta
lidhet me cilësinë e naftës. Sot që flasim
të 100 pikat tona ofrojnë cilësi të njëjtë
produkti. Ne i kontrollomë online të
gjitha pikat, përfshi dhe vëzhgimin e tyre
me satelit. E treta lidhet me standardin
e sigurisë. Ne kemi aplikuar standardin
evropian në të gjitha pikat në mënyrë që
të garantohet e gjithë siguria. Në 2006,
duke ecur me këtë strategji morën edhe
certifikatën ISO 9001:2000. deri më sot
asnjë kompani nuk e ka certifikatën ISO,
e cila garanton cilësinë e produktit. Sa i
takon sistemit online ne mund të kontrollojmë
në çdo kohë pikat tona, sasinë,
cilësinë, pompat dhe aktivitetin teknik
të tyre, përfshi dhe shitjet. Në këto katër
vjet aktiviteti në Shqipëri, ne kemi investuar
rreth 50 milionë dollarë. Sa i takon
stafit, numri i punonjësve arrin në 520
vetë, ku i vetmi turk jam unë. Deri tani
jam shumë i kënaqur me punën e bërë.
Këtë e shikoj te vlerësimet që marr nga
konsumatorët.
Çfarë mund të na thoni për cilësinë
e karburantit?
Sot në Shqipëri shiten naftë D1, D2
dhe benzinë. Sa i takon naftës D2, çka ka
sjellë debate në ditët e sotme, përmbajtja
e saj ka 2000 ppm squfur brenda naftës.
Në 1 janar 2007, "Alpet" e ka ndaluar
vetë tregtimin e naftës D2 në treg. Vetëm
kemi importuar naftë euro 4, çka do të
thotë vetëm 50 ppm squfur, pra 40 herë
më pak ndotje nga sa prodhon nafta D2
me 2000 ppm squfur, por edhe 40 herë
më pak sëmundje dhe 40 herë më shumë
zgjatje e jetës për automjetet. Strategjia
jonë lidhet ngushtë me cilësisë e lartë
në treg. Që prej 1 janarit 2007, në shumë
vende të Evropës nuk gjen më naftë D2,
përfshi edhe Kosova, e cila e hoqi nga
përdorimi në korrik 2007.
Nga e merrni naftën Euro 4?
Në disa vende të botës ka rafineri
që nxjerrin naftën Euro 4. Ne e marrim
kryesisht në Turqi, Greqi, Rumani dhe
Izrael. Mund t‘ju them gjithashtu se në
dhjetor të vitit 2008 kemi futur në Shqipëri
për herë të parë naftën Euro 5, me
10 ppm. Cilësia e saj shkon akoma e më
larg se D2. Në Evropë nafta Euro 5 nuk
ka mbërritur ende, ndërsa ne e bëmë
të mundur këtë fakt në Shqipëri, pasi
vlerësojmë shëndetin e konsumatorëve
tanë dhe ruajtjen e mjedisit.
Po D1, si paraqitet?
Nafta D1 në treg simbolizon Euro
3 ose 350 ppm. Por edhe Euro 3 nuk
kemi importuar që prej dy vjetësh.
"Alpet" ofron në treg vetëm naftë 50
ppm ose Euro 4. Tani cilësia është rritur,
duke ofruar edhe naftë 10 ppm diezel.
Rëndësia e këtij produkti për tregun
e karburanteve është tepër e madhe.
Euro 5 është një produkt tepër mbrojtës
për ambientin, për shëndetin e konsumatorëve,
si dhe për mirëmbajtjen e
automjeteve. Nëse e krahasojmë me D2
mund të themi 200 herë më pak squfur
në ambient. Pra ndryshimi është tepër
i madh.
Cilësia kërkon çmim më të lartë?
Patjetër. Produkti Euro 5 ka 7-8 lekë
diferencë në kosto në raport me produktet
e tjera të naftës. Ne nuk shesim D1
apo D2, për vetëm Euro 4 dhe 5. Për këtë
arsye në pikat tona çmimi është 3-4 lekë
më i shtrenjtë. Mund them se nafta D2
në shumë vende të botës përdoret për
industrinë e rëndë, për linjat e përpunimit,
anijet etj., dhe jo për automjetet,
sikundër ndodh në Shqipëri. Në këtë
pikë, më vjen keq ndaj vendimit të qeverisë,
e cila do të lejojë tregtimin e naftën
diezel D2 edhe për një vit. Pra, qeveria
ka lejuar të shitet në treg vetëm nafta e
prodhuar në Ballsh, ndërsa ka ndaluar
importin, duke vendosur që kompanitë
e interesuara mund të blejnë naftën
vetëm nga ARMO. Do të ishte e drejtë
që në tabelat ku tregtohet ky produkt,
të mos emërtohej si diezel (d 1,) por si
diezel ARMO. Megjithatë, ARMO dhe
"Alpet" nuk kanë të njëjtën strategji,
pasi ne nuk shesim naftë D2 që prej dy
vjetësh. Nisur nga ndotja që prodhon D2
dhe pasojat negative që jep ndaj shëndetit,
mendoj personalisht që nafta diezel
nuk duhet shitur më në treg. Gjithnjë
nëse duam të përparojmë si vendet e
tjera të Bashkimit Evropian.
Mund të na thoni se sa është pesha e
kompanisë tuaj në treg? Rritja nga viti
në vit, sa është?
Sa i takon peshës që zëmë në treg,
për ne nuk ka rëndësi se sa sjellja e
konsumatorit. Pra dua të them që cilësia
për ne është e para. Ne nuk shesim
me shumicë, por me pakicë kështu që
kontakti ynë me konsumatorin është
shumë i rëndësishëm. Për të shitur me
shumicë, nuk është problem për ne.
Mjafton të sjellim një anije me 1 mijë
tonë, me cilësi të dobët dhe e shesim atë
me çmim të ulët shumicë. Por ne i japim
rëndësi pakicës direkt te konsumatori.
Strategjia jonë lidhet vetëm te pikat tona
të pakicës, te cilësia, e cila është tepër
e lartë. Për këtë arsye, në vitin 2007,
"Alpet" renditej në 10 kompanitë më të
mira, ndërsa në vitin 2008 jemi te 5 të
parat, gjithnjë sa i takon xhiros.
Ku janë të përqendruara më shumë
100 pikat e karburantit?
Pikat e shitjes së karburantit janë të
ngritur në vende strategjike, brenda në
qytet dhe përreth vijës bregdetare, pranë
zonave turistike.
Ju thoni se keni pika karburanti edhe
brenda qendrave të banimit, pra në
qytet. Sa të garantuara janë ato?
Në radhë të parë duhet të them se
pikat tona të shitjes janë të licencuara
dhe me leje përkatëse nga autoritetet
shtetërore. Kur ne vendosim të investojmë
për ngritjen e një pike, në fillim
ekipi ynë nis studimin për të garantuar
sigurinë. Deri më sot kompania jonë
nuk ka pasur probleme teknike apo të
sigurisë. Më duhet të them se 100 pikat
janë të lidhura online me qendrën dhe të
monitoruara mjaft mirë. Të gjitha pikat
tona janë ngritur mbi bazën e standardin
evropian.
Çfarë planesh keni për 2009-ën,
duke qenë se mbushni 5 vjet në Shqipëri?
Më duhet të them se viti 2009 shoqërohet
me një krizë të madhe ekonomike
në të gjithë botën. Këtu nuk
përjashtohet as Shqipëria. Në këtë pikë
"Alpet" pret rreth 25 për qind rënie të
konsumit, gjë që do të ndikojë në rezultatin
e kompanisë. Pavarësisht këtij
parashikimi të errët, "Alpet" nuk do të
ndalojë së investuari në Shqipëri. Për
vitin 2009 kemi parashikuar të hapim
edhe 20 pika të tjera në vende strategjike.
Për ne Shqipëria konsiderohet pika
strategjike për të zgjeruar investimet
tona në Ballkan. Për këtë kemi planifikuar
të hapim pika karburanti edhe në
Kosovë, pasi interesi ndaj produkteve
tona është tepër i madh.
Si e vlerësoni hetimin që po bën
Autoriteti i Konkurrencës ndaj tregut
të karburanteve, nisur nga faktet për
"çmime të fiksuara"?
Hetimi nuk më duket i drejtë. Si fillim
dua t‘ju shpjegoj edhe një herë se që
prej dy vjetësh "Alpet" nuk shet naftë
D2 në treg. Cilësia jonë me kompanitë e
tjera është tepër e avancuar. Ne shesim
produkte karburanti të ndryshme, naftë
Euro 4 dhe Euro 5, deri në 10 ppm, si dhe
benzinë 100 octan, në cilësi dhe në çmime
krejt të kundërta me të tjerët, kështu
që hetimi nuk ka lidhje aspak me "Alpet".
Neve nuk na intereson të lidhim kartel
me kompanitë e tjera, për aq kohë sa
nuk shesim të njëjtin produkt. Pra, kemi
interesa të ndryshëm nga konkurrentët
tanë, të cilët gjithsesi i vlerësoj.
A ju duken reale çmimet në treg?
Më lejoni t‘ju them diçka që është
shumë e rëndësishme. Sa herë që ka ulje
të çmimeve, mediat dhe opinioni publik
vijnë të kërkojnë llogari te kompanitë
e naftës, sepse nuk reflektohet edhe te
ne. Kur çmimi bie në bursa mos prisni
që reflektimi të vijë menjëherë. Duhet
të kihet parasysh stoku në magazina,
çmimi që është blerë etj. Por kur rritet
çmimi i naftës në bursa, siç ishte rasti i
para dy javëve me 25 për qind, nuk pati
rritje të saj në treg. Mbeti i pandryshuar
edhe pse në bursa pati rritje të çmimit.
Në këtë pikë mediat nuk vijnë për të
pyetur rreth këtij ndryshimi.
Megjithatë, ulja e çmimit reflektohet
me shumë vonesë...
Ne shesim dhe blejmë me çmime të
bursës, nisur edhe nga produktet tona
tepër specifike, naftë Euro 4 dhe Euro
5. Duhet t‘ju sqaroj edhe një herë që reflektimi
lidhet me stokun në magazina,
e cila mund të zgjasë një apo dy javë.
Sasia që është blerë me 50 dollarë fuçia
nuk mund të shitet pas një jave më lirë
vetëm se në bursa çmimi është ulur me
20 dollarë.
Qeveria po planifikon VKM-në që
lejon rritjen e rezervave të depozitave,
deri në 3 mijë m³...
Në këtë kohë krize nuk është e pranueshme
të përdoren sasi të mëdha
karburanti në magazina.
Si ju duket tregu shqiptar? Sa ka
ndryshuar me 2005-ën?
Në vitin 2005 kur mbërritën në
Shqipëri vumë re që mungonte një ligj
i posaçëm për karburantet. Sot ky ligj
vazhdon të mungojë. Në 2005 në treg
kishte ende naftë D2. Ky produkt shitet
sot ende edhe në 2009.
Si po ecni me zhvendosjen e depozitave
në Porto Romano?
Nuk ka mbaruar ende infrastruktura
e ndërtimit të Porto Romamos. Këtu e
kam fjalën për rrugën dhe portin. Kjo
është një gjë jo shumë pozitive. Jo vetëm
për ne. Qeveria thotë se pas marsit 2009
nuk duhet shkarkuar më sasi nafte në
Durrës dhe Shëngjin, por duhet punuar
vetëm në Porto Romano. Dakord. Por
Porto Romano nuk është bërë gati ende.
Afati i vendosur nga qeveria nuk mjafton.
Pastaj kostoja e lartë, si dhe mungesa
e infrastrukturës e bëjnë të vështirë
zbatimin e VKM-së brenda afatit. Sa i
takon procesit mund të them se "Alpet"
ka ecur mirë deri tani. Kemi marrë një
tokë në Porto Romano, të vendosur në
dispozicion nga ministria.
Sa kushton dhe sa kohë kërkon
zhvendosja e depozitave?
Po themi për një depozitë rreth
20 mijë m³ nevojiten të paktën 10 milionë
dollarë dhe një vit punë.
Si ju duket legjislacioni tatimor?
Shumë i mirë. Kompania jonë nuk ka
probleme me pagimin e taksave. Kemi
qenë korrekt me ligjin dhe afatet lidhur
me pagesën e detyrimeve.
Kur qeveria kërkoi të shiste ARMO-n,
a pati "Alpet" interes për ta blerë?
Përpara privatizimit, kompania jonë
bëri fizibilitetin. Ende edhe sot kemi
interes për të pasur një rafineri nafte në
Shqipëri apo në Ballkan. Megjithatë, sa i
takon ARMO-s, ne nuk ishim shumë të
interesuar. Kjo për faktin se ARMO nuk
ishte e shtrirë në pika strategjike, sikundër
duhet të ishte një rafineri nafte pranë
bregdetit, pra afër portit. ARMO ndodhet
mes maleve dhe e bën të vështirë punën
për zhvillimin e kompanisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›