Shtyhet afati, KESH do paguajë TVSH e energjisë pas një viti
• Qeveria ka miratuar dje shtyrjen e pagesës së TVSH-së nga 6 muaj në një vit, duke zgjatur kështu afatin kohor të pagesës së kësaj takse.Fabiola Çela Kjo do të thotë se, KESH do të paguajë TVSH-në për energjinë e importuar një herë në vit dhe jo dy herë siç ishte më parë. Nga ky vendim i qeverisë përfitojnë edhe subjektet që merren me importin e makinerive dhe pajisjeve. Ata kanë kohë të paguajnë TVSH-në brenda 12 muajve, nga momenti kur kanë kryer zhdoganimin e këtyre makinerive. Tregu i energjisë Këshilli i Ministrave i ka dhënë dje ‘ok’ modelit shqiptar të tregut të energjisë elektrike. Sipas kësaj skeme, pjesa që do të privatizohet do të jetë Operatori i Sistemit të Shpërndarjes (OSSH). Ky operator edhe pas privatizimit do të zotërojë asetet e rrjetit të shpërndarjes dhe do të kryejë shërbimin e shpërndarjes së energjisë elektrike. Duke qenë në rolin e furnizuesit publik me pakicë, që ka si detyrë të furnizojë klientët fundorë dhe njëkohësisht të realizojë edhe mbledhjen e të ardhurave nga shitja e energjisë elektrike. Në modelin e parë i cili u miratua nga qeveria në tetor të vitit të kaluar ishte përcaktuar që, furnizuesi publik me shumicë dhe furnizuesi publik me pakicë përfshiheshin tek operatori i sistemit të shpërndarjes dhe risku i sigurimit të energjisë, i humbjeve dhe i arkëtimeve kalonte tek investitori i ardhshëm, prandaj dhe zbatimi i tij kërkonte një rritje të konsiderueshme tarifore. Ndërsa tek modeli i ri, i cili u miratua dje nga qeveria risku i furnizimit me energji do të jetë tek KESH-i, ndërsa investitori do të mbulojë humbjet në shpërndarje, pra është më i sigurt për furnizimin me energji elektrike të konsumatorëve dhe më e rëndësishme është fakti që me këtë model kërkohet rritje më e butë e tarifave. Përfundimisht, ky model i ri i tregut i hap rrugë privatizimit të sektorit energjetik, duke nisur pikërisht nga OSSH-ja. Moti i keq, stakohen linjat e interkonjeksionit Si pasojë e motit të keq që ka përfshirë rajonin, dje në orën 08:00 u stakua linja e interkonjeksionit 220 kv Fierzë-Prizren. OST-ja bën të ditur se, stakimi i kësaj linje ka ardhur si pasojë e një defekti të ndodhur në linjën e Kosovës. Pak orë më pas u stakuan edhe dy linjat e tjera 110 kv, Fushë Arrëz-Kukës dhe ajo 110 kv Fierzë–Bajram Curri. Pas punimeve të kryera nga specialistët e OST-së të treja këto linja u vunë në punë po dje, duke rikthyer kështu edhe energjinë elektrike në disa zona të vendit.