E Diel, 1 Nëntor 2026

Kreu i Bashkisë Durrës: Do të prishë lokalet e ish-pushtetarëve

Fadromat e Policisë Ndërtimore nuk do të tolerojnë asnjë individ, sado të pushtetshëm apo ish-pushtetar, apo edhe objekt pa leje që është ngritur abuzivisht dhe pa leje në bregdetin e Currilave, të gjitha do të prishen. Kjo ishte deklarata e kreut të bashkisë, Vangjush Dako, lidhur me interesimin e “standard” për rritjen e numrit të ndërtimeve pa leje në atë zonë, ende të papushtuar nga betoni. Dako tha se “edhe pse tashmë kemi hyrë në sezon turistik, Bashkia e Durrësit ka vendosur të zbatojë ligjin për ndërtimet pa leje dhe do të rrëzojë disa lokale që janë ndërtuar pa pyetur pushtetin vendor, edhe pse ato ndodhen buzë detit”. Pronarët e lokaleve të ngritura përgjatë vijës së Currilave janë njoftuar se brenda afatit kohor duhet të ngrënë plaçkat e të largojnë çfarë të mundin prej tyre, pasi objektet do të shemben. Këto lokale janë ngritur gjatë stinës së dimrit për të funksionuar me kapacitet të plotë në muajt e verës. Por nga kontrolli i dokumenteve, i kryer nga ana e inspektorëve të Ndërtimores, rezultoi se i gjithë ky rrjet lokalesh, baresh dhe restorantesh është ndërtuar pa leje dhe në kundërshtim me ligjin. Gjatë ditëve të fundit, Policia e Ndërtimit pranë Bashkisë së Durrësit ka shpërndarë njoftime zyrtare për 12 objekte të ndërtuara pa leje, të cilat do të shemben për shkak të paligjshmërisë së tyre. Këto lokale janë ndërtime, të cilat është vështirë që t’i klasifikosh si kioska, por është po aq e vështirë që t’i konsiderosh edhe si ndërtime prej tullash e betoni, pasi janë diçka ndërmjet të dyjave. Kreu i Policisë Ndërtimore, Albert Doda, sqaron se “nga verifikimet që kemi bërë, asnjëri prej këtyre pronarëve nuk ka marrë leje në bashki, pra konsiderohen ndërtime të paligjshme. Në këto kushte jemi të vendosur të zbatojmë ligjin me të gjitha detajet e tij”. Lokalet në fjalë jo vetëm janë ngritur pa leje, por disa prej pronarëve të tyre kanë rrethuar me tela edhe një pjesë të mirë të bregut të detit, duke bllokuar qarkullimin e qytetarëve në atë zonë, si dhe ndalimin e tyre për të bërë plazh.

Edhe gjatë sezoneve të kaluara verore, një pjesë e këtyre lokaleve ka funksionuar po në kundërshtim me ligjin, pasi asnjëherë nuk kanë siguruar leje.

Precedenti i tokave në bregdet në Durrës

Zyrtarët e Urbanistikës në Durrës thanë për “standard” se “trojet mbi të cilat janë ndërtuar këto objekte u përkasin disa prej ish-pushtetarëve socialistë, të cilët i kanë marrë ato nga Komisioni i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në formë kompensimi”.

Po t’i referohesh ligjit, rezulton se ato janë kompensuar në kundërshtim të plotë me të, pasi janë fare pranë vijës së ujit, gjë që ligji e ndalon. Banorët e Durrësit disa herë e kanë ngritur zërin kundër mënyrës se si po funksionojnë këto lokale pranë institucioneve të pushtetit vendor.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›