Meta: “Të rinjtë do ti përfaqësojmë në parlament dhe në qeverisje”
Lideri i LSI-së, Ilir Meta, zhvilloi dje një takim me anëtarët e rinj që i janë bashkuar Lëvizjes Socialiste për Integrim në qytetin e Elbasanit. Gjatë takimit, Meta shpërndau tesera për anëtarët e rinj të LRI-së dhe LSI-së. Ndërkohë, Meta i dha teserën e LSI-së edhe dr. Pjerin Xhuvanit, që është dhe një ndër anëtarët më të rinj të LSI-së në Elbasan. Duke iu drejtuar të rinjve elbasanas, Meta tha: “Të rinjtë në LSI janë shpirti i kësaj force politike, janë zemra e LSI-së, janë forca e saj, janë e sotmja dhe e nesërmja e LSI-së, por jo vetëm kaq, por edhe e të gjithë Shqipërisë. Ne të rinjtë do t’i përfaqësojmë që nga parlamenti i ri i 28 qershorit dhe në të gjithë qeverisjen e vendit, duke ofruar shanse dhe mundësi për të rinjtë më të talentuar e duke patur një program të plotë dhe konkret për rininë. Ne duam një rini që të mbajë përgjegjësi për vendin, të kuptojë rolin që vendi kërkon që kjo rini të marrë përsipër për të shpartalluar një kastë pushtetarësh nga të dyja partitë e vjetra, që duan të mbyllin çdo mundësi për lirinë e shqiptarëve”. Në fund, Meta shprehu vendosmërinë për t’i udhëhequr të gjithë shqiptarët drejt një ndryshimi të madh, të cilin, sipas Metës, “nuk do ta realizojmë vetëm, sepse nuk kemi mundësi të ndryshojmë Shqipërinë të vetëm. Madje, këtu ndryshojmë ne nga lidershipi i PD-së dhe nga lidershipi i PS-së. Do ta ndryshojmë Shqipërinë në radhë të parë duke ndryshuar mentalitetin përjashtues dhe në qeverisje, atë që vihet re sot si në Gërdec-qeverinë e Berishës dhe në bunker-Bashkinë e Ramës. Ne do të bashkëqeverisim me të gjithë shqiptarët”.
20 Shkurt 2009