Kreu i Biznesit: Turizmi në Durrës dështoi gjatë 2009
DURRES/ OERD ULQINIShqipëria ka jo vetëm një bilanc negativ në tregtinë me jashtë, ku importon afro shtatë herë më shumë sesa eksporton, por edhe në turizëm. E thënë ndryshe në këtë fushë, vendi ynë më shumë "eksporton" turistë sesa "importon". Për kryetarin e Dhomës së Biznesit në Durrës, Andrea Xhovara, një sasi më e lartë valute del nga kufijtë e Shqipërisë për turizëm, sesa ajo që mblidhet nga turizmi patriotik. Një gjë e tillë sjell vështirësi për ekonominë tonë kombëtare, e cila vuan pasojat e daljes së valutës jashtë, në një kohë që remitancat e emigrantëve, në ulje të vazhdueshme nuk e mbushin dot tregun me valutë. Leku zhvlerësohet dhe jeta shtrenjtohet, ndaj për të ndryshuar "kursin e anijes" duhet që të paktën në fushën e turizmit bilanci i valutës të jetë pozitiv. Nga Durrësi, Andrea Xhovara bën thirrje se "duhen intensifikuar përpjekjet mes pushtetit vendor, qeverisë, biznesit dhe komunitetit në mënyrë që trendi drejt turizmit shqiptar të rritet". Verën e kaluar Durrësi u vizitua nga të paktën 300 mijë turistë, por shumë prej tyre ishin tranzit ose preferuan turizmin e dhomave me qira ku edhe gatimin e bënin vetë. Për fat të keq, ky lloj turizmi, ndonëse deri diku i vlefshëm nuk i jep marshet e duhura makinës turistike shqiptare. "Dihet që turistët që vijnë në Durrës nga Maqedonia apo Kosova janë kryesisht familjarë. Turistë të ujit dhe të rërës, të cilët shpenzojnë pak. Ndërsa ata shqiptarë që shkojnë për pushime jashtë qëndrojnë në rezidenca me infrastrukturë të lartë, të cilat diktojnë çmime të larta. Ndonëse pyetja është e vështirë e them me bindje se edhe në fushën turistike ne kemi defiçite, ndaj duhet ndërtuar sa më parë një strategji për të përmbysur këtë realitet", tha në një deklaratë për "Panorama", Andrea Xhovara. Sipas tij kjo gjendje është pasojë e keqmenaxhimit. Një mendësi e re duhet futur në turizëm, ajo e bashkimit të disa hoteleve për të pritur 3-4 autobusë me turistë perëndimorë."Hotelet tona janë të vogla, nuk kemi komplekse gjigande si në vendet e tjera të Mesdheut, ndaj një mundësi për turizmin e organizuar dhe masiv është ngritja e urave të bashkëpunimit me biznesmenëve të fushës", tha Xhovara. Sipas tij, Dhoma e Tregtisë së Durrësit, në partneritet edhe me homologët e huaj janë duke ofruar paketa turistike 3-shtetëshe në Ballkanin perëndimor në linjën Bosnje-Mali i Zi-Shqipëri, me shpresën se shumë shpejt në këtë itinerar do të përfshihen edhe dy shtete të tjera shqipfolëse si Kosova dhe Maqedonia.