E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mashtronte duke premtuar viza, arrestohet 57-vjeçari

Mashtronte nën premtimin e vizave për jashtë shtetit, por vetëm të hënën është bërë kapja e tij. Një 57-vjeçar nga qyteti i Elbasanit, i shpallur në kërkim nga prokuroria e rrethit prej disa kohësh, ka rënë në prangat e uniformave blu vetëm dy ditë më parë. Sipas burimeve zyrtare të policisë, pasditen e së hënës, rreth orës 19:45, nga ana e seksionit kundër Krimit Ekonomiko-Financiar pranë Drejtorisë së Policisë së Qarkut Elbasan është bërë ndalimi i 57-vjeçarit Ilir Albrahimi, banues në lagjen "11 Nëntori" në Elbasan, i dënuar më parë po për veprën penale të "mashtrimit". Burimi sqaron se ndalimi i tij u bë në bazë të urdhrit të lëshuar nga Prokuroria e Elbasanit, pasi Albrahimi, gjatë vitit 2005 i kishte marrë me anë të mashtrimit 3000 euro 61-vjeçarit Ramazan Meta, banues në lagjen "Beqir Dardha" të Elbasanit, duke i premtuar një vizë greke. I njëjti burim saktëson së ky person, në vitin 2007 i ka marrë po me anë të mashtrimit për vizë, 1500 euro, 22-vjeçarit Marenglen Dervishi, banues në fshatin Seltë të Elbasanit. Mësohet se denoncimi ndaj Albrahimit kishte ardhur nga dy personat e mashtruar dhe për këtë prokuroria kishte nxjerrë urdhrin e ndalimit, ndërsa policia e kishte shpallur 57-vjeçarin person në kërkim. Albrahimi u kap në banesën e tij, sapo ishte kthyer nga një udhëtim jashtë shtetit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›