E Diel, 1 Nëntor 2026

Kreu i KESH, Stojku: Prurje rekord, 1 mijë metra kub në sekondë. Do të vijojmë t’i mbajmë portat hapur

Tri hidrocentralet më të mëdha në Veri të vendit kanë kaluar në gjendje të jashtëzakonshme. Prurjet rekord të ditëve të fundit kanë përshkallëzuar situatën, duke rrezikuar derdhje të mëdha dhe shkaktimin e katastrofave. Aktualisht, situata paraqitet disi më e përmirësuar, por drejtuesit e sistemit energjetik paralajmërojnë për kujdes të madh, duke lejuar shkarkime të tjera të ujit dhe ruajtjen e hidrocentraleve në kuota që japin garanci. Drejtori i Përgjithshëm i KESH, Muharrem Stojku, bëri një ekspoze të situatës në hidrocentralet kryesore në vend, duke theksuar se punohet për ruajtjen e nivelit në liqenin e Fierzës. Prurjet rekord në rangun 1 mijë metër kub ujë për sekondë e kanë ngritur nivelin e ujit në hidrocentrale në maksimumet historike duke kërcënuar me përmbytje.
Situata e rënduar
Drejtori i KESH-it deklaroi dje se është shpallur gjendja e jashtëzakonshme dhe se po punohet në bashkëpunim me Operatorin e Transmetimit për të shmangur krizat. Sipas Stojkut, në tri hidrocentrale po shkarkohen sasi të mëdha uji, në mënyrë që të ruhet kuota e lejuar. “Nga Fierza po shkarkojmë 460 metër kub në sekondë, nga Komani rreth 900 metër kub në sekondë dhe po e njëjta sasi nga hidrocentrali Vau i Dejës”, paraqiti kreu i KESH. Stojku shpjegoi arsyen e këtij veprimi dhe masat që po merren. “Jemi të detyruar të bëjmë shkarkimet e duhura për të mos rrezikuar gjithë vendin. Të gjitha hidrocentralet janë duke punuar me kapacitetin maksimal, por kjo nuk mjafton për të përballuar nivelin e lartë të prurjeve”, njoftoi drejtuesi më i lartë i KESH-it. Aktualisht, hidrocentralet po punojnë me fuqinë maksimale, por nuk mjafton për të shmangur derdhjet, të cilat kanë shkaktuar përmbytje në disa zona pranë objekteve energjetike.
Nivelet
Prurjet e ujit në nivel rekord prej një mijë metër kub kanë rritur nivelin në liqenin e Fierzës afër pikës kritike. Të dhënat nga terreni tregojnë se niveli i ujit në Fierzë ka arritur në rreth 293 metër mbi nivelin e detit, afro 3 metra larg pikës maksimale të lejuar. Pavarësisht menaxhimit të kujdesshëm, drejtuesish e KESH-it nuk mohojnë faktin se mund të ketë të tjera shkarkime të ujit në rast se situata me reshjet nuk ndryshon. Pavarësisht kësaj, Muharrem Stojku përpiqet të qetësojë publikun duke deklaruar se situata është tërësisht e menaxhueshme dhe mund të mbahet nën kontroll. Ndërkaq, prej disa ditësh ka nisur eksporti dhe depozitimi i energjisë elektrike përmes linjave të Veriut. Tjetër masë është prodhimi në nivele maksimale, i cili gjatë ditës së djeshme preku rekordin e 27 milionë kilovat për orë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›