E Diel, 1 Nëntor 2026

Sipas PS-së, katastrofa nuk është natyrore. Përgjigjen demokratët: Kemi bërë maksimumin

Përmbytjet në Qarkun e Shkodrës dhe të Lezhës risjellin përplasjet mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste. Në komunikimin e parë për mediat të selisë rozë, deputeti i Shkodrës, Ilir Beqja, akuzoi qeverinë për paaftësi në menaxhimin e situatës së krijuar, por edhe për mungesë transparence, pasi sipas tij, është fshehur për shumë kohë niveli i vërtetë i ujit në liqene. “Por situata aktuale nxjerr në pah paaftësinë e qeverisë për të parashikuar e parandaluar emergjenca të tilla. Nuk është nevoja që Sali Berisha të bëjë parashikuesin e motit apo drejtorin e emergjencave civile”, tha ai. Beqja vuri në dukje se në lidhje me baticat qeveria nuk ka bërë asnjë investim tek argjinaturat.
“Edhe paratë e shpenzuara në vitin 2006 për të mbrojtur Lezhën e Shëngjinin nga përmbytjet kanë shkuar në xhepat e oborrit të familjes në pushtet. I bëjmë thirrje Prokurorisë të hetojë fatin e këtyre investimeve”, tha Beqja. Socialistët thonë se qeveria ka fshehur nivelin e vërtetë të liqeneve që në fillim të nëntorit duke kërkuar sqarim përse ka vijuar importimi i energjisë elektrike. Edhe për këtë çështje, PS i ka kërkuar Prokurorisë së Përgjithshme që të bëjë hetimet e duhura.
Ndërkohë, deputeti socialist e konsideroi të përligjur qëndrimin e banorëve të zonave që duhet të evakuohen, sepse ata janë dëshmitarë të dështimit të kompensimeve të tërmetit të shtatorit në Dibër, të përmbytjeve në Lezhë në fillim të nëntorit, të përmbytjeve të Vjosës në fillim të dhjetorit.Pas këtyre deklaratave reagoi menjëherë Partia Demokratike përmes zëdhënëses Erla Mëhilli. Sipas saj, deklarata për përmbytjet, janë dëshmi tjetër se Edi Rama alternativë të vetme për shqiptarët ka fatkeqësinë natyrore. PD insiston që reshjet dhe vërshimet e mëdha që rritën prurjet në lumenjtë e Matit, Drinit të Zi, Drinit të Bardhë e degëve të tyre, në lumin e Gashit, Valbonës, Currës dhe në lumin e Shalës u përballuan me dëmet më minimale. PD hodhi poshtë akuzat për paaftësi, duke insistuar se  për shkak të angazhimit total para dhe mbas natës së ndërrimit të viteve nga autoritetet lokale dhe qendrore për menaxhimin e situatave emergjente, situata u përballua.
Njëkohësisht, PD bëri me dije se situata u përballua edhe nga pritat dhe argjinaturat e ngritura në lumin e Matit, në atë të Drinit, Kirit e Vjosës, të cilët përballuan vërshimet e papara të këtyre lumenjve gjatë dhjetëditëshit të fundit. “Partia Demokratike shpreh edhe njëherë vlerësimin dhe mbështetjen e saj më të madhe për qytetarët e këtyre zonave, qeveritarët vendorë të të gjitha niveleve, për forcat e Policisë së Shtetit, Emergjencat Civile dhe ato të Ushtrisë, Bordeve të Kullimit, të cilët bënë që këto momente kritike të përballohen pa humbje jetësh dhe me dëme plotësisht të kompensueshme”, përfundoi Mëhilli.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›