E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kreu i KQZ Arben Ristani inauguron instalimin e kamerave të sigurisë

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani vizitoi dje Vendin e Numërimit të Votave të vendosur në palestrën e shkollës “Hasan Prishtina”, në kryeqytet ku është vënë në funksionim të plotë sistemi i kamerave për monitorimin e procesit të numërimit të votave. 

Në një prononcim për mediat, Ristani konfirmoi se në 66 VNV-të në mbarë vendin ka filluar montimi i teknologjisë për numërimin e votave, një projekt që sipas kreut të KQZ-së ka kushtuar më pak se 1.5 milionë euro. Sistemi i kamerave të instaluara në palestrën e Shkollës “Hasan Prishtina”, në kryeqytet, paraqet pamje të qarta nga 5 tavolinat e vendosura në sallë për numërimin e votave. Ndërsa në ekrane të posaçme televizive, vëzhguesit kanë mundësi të ndjekin fletë pas flete mënyrën e votimit. Të gjitha pamjet e përftuara nga kamera qendrore 360 gradë, do të ndiqen on-line nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, dhe kështu mund të mbahen nën kontroll 66 VNV-të në gjithë Shqipërinë. “Ky projekt siguron një transparencë maksimale, si dhe bënë të mundur marrjen në kohë të rezultateve nga të 66 Vendet e Numërimit të Votave. Nga ana tjetër, në çdo VNV do të sigurohet një vend i mjaftueshëm për vëzhguesit të cilët do të mund të ndjekin nëpërmjet ekranit, mënyrën se si është votuar. Nga ana tjetër ata do të jenë shumë afër edhe me anëtarët e grupit të numërimit të votave”, nënvizoi Ristani. Kryetari i KQZ-së informoi më tej se deri tani janë montuar disa Vende të Numërimit të Votave në Tiranë, Elbasan dhe Librazhd. “Shpresojmë që maksimumi një javë para ditës së zgjedhjeve do të jetë montuar e gjithë teknologjia në gjithë Shqipërinë dhe javën e fundit do të mund ta testojmë atë për të qenë gati ditën e zgjedhjeve”, përfundoi Arben Ristani

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›