E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama ka nisur në betejë ushtrinë, por vetë ia ka mbathur

Kryeministri Berisha ka vijuar turin e mitingjeve masive “Shqipëria po Ndryshon” në Kuçovë dhe Rrogozhinë, duke garantuar se në mandatin e dytë do të rezultojë me një ulje masive taksash, duke mbërritur deri tek niveli biblik i të dhjetës, taksës së miratuar edhe nga librat e shenjtë. Por alternativa demokrate nuk ka rivalë, pasi Edvini e ka zbritur në betejë aradhën e socialistëve, por vetë ia ka mbathur nga frika

Kryetari i Partisë Demokratike dhe njëherazi kryeministri Sali Berisha në vijim të turit elektoral, për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit, u ndal dje në qytetin e Kuçovës, të cilëve u shprehu mirënjohje për mbështetjen që i kane dhënë Partisë Demokratike në mandatin që ndryshoi Shqipërinë. Në katër vite, tha kryeministri Berisha, me punën dhe përkushtimi, të gjithë së bashku ia dolëm që Kuçova dhe Shqipëria të jenë anëtarë të NATO-s. 

“Ne ia dolëm së bashku të dyfishojmë pensionet në fshat dhe t’i rrisim ato 50 deri në 70 për qind në qytet. Ne ia dolëm që Shqipërisë t’i kthejmë emrin e mirë që meriton, ta bëjmë atë të përfillur nga mbarë bota. Ne ia dolëm që në Shqipëri të vijë Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ne ia dolëm që Shqipëria të anëtarësohet në NATO, të aplikojë si vend anëtar në Bashkimin Evropian dhe të jetë e gatshme që, brenda vitit të parë të mandatit tonë të dytë, qytetarët shqiptarë të lëvizin të lirë në mbarë Evropën”, u shpreh Berisha.

Në fjalën e tij kryeministri Berisha tha se në në Kuçovë dhe në mbarë Shqipërinë është investuar për një infrastrukturë të standardeve evropiane. 

“Këtu, ka nisur me shpejtësi rruga Kuçovë-Belsh-Cërrik, segment i rëndësishëm i boshtit të jugut, bosht që e shndërron Beratin dhe Kuçovën në një nyje jashtëzakonisht të rëndësishme të qarkullimit dhe transportit në vend. Ne jemi sot këtu për t’u zotuar para jush se do të asfaltojmë çdo rrugë e rrugicë të këtij qyteti, komunave dhe rrethit tuaj, si dhe të mbarë Shqipërisë”, theksoi Berisha.

Në mesazhin drejtuar qytetarëve të Kuçovës,z. Berisha tha se për Kuçovën evropiane dhe Shqipërinë evropiane, kusht vendimtar është që qytetarët të gëzojnë të drejtat, mundësitë dhe perspektivën që gëzojnë edhe qytetarët e vendeve anëtare të BE-së. Kryetari i Partisë Demokratike Berisha deklaroi se në katër vitet që do të vijnë pagat dhe pensionet e mbarë shqiptarëve do të parakalojnë pagat e pensionet e 6 vendeve anëtare të BE-së.

Këto katër vite, tha Berisha ne ia kemi dalë ta shndërrojmë Shqipërinë në vendin më tërheqës për investimet e huaja. 

“Në këto katër vite, Shqipëria doli në vend të dytë në botë për klimën e biznesit. Vetëm 6 muajt e fundit, ne kemi firmosur 5 miliardë euro investime në porte, hidrocentrale, parqe industriale, në të cilat do të punësohen edhe 160 mijë shqiptarë. Gjenerator kryesor i punësimit tuaj do të jetë biznesi”, u shpreh Berisha.  

Duke u ndalur në reformën e taksave, kryetari i PD-së Berisha tha se Shqipëria është shndërruar në vendin e taksave më të ulëta në Evropë dhe në vendin me koston më të ulët të prodhimit në Evropë.

“Unë ju garantoj se taksat e ulëta, konsolidimi i tyre do të mbeten linja kryesore e revolucionit tonë fiskal. Unë u bëj thirrje qeveritarëve vendorë të Kuçovës dhe të mbarë Shqipërisë të mos rëndojnë biznesin e vogël me taksa. Ata le të bëjnë projekte dhe për çdo nevojë që do të kenë për fonde, qeveria do t’ua financojë të gjitha, pa asnjë dallim partiak”, shtoi kryeministri Berisha 

Kryetari i PD-së deklaroi se katër vitet që vijnë, janë vite vendimtare për projektin e dytë madhor të shekullit të 21-të, “Shqipëria në Evropë”.

“Unë ju bëj thirrje të bashkohemi, pavarësisht nga bindjet, për të  vazhduar ndryshimin, për të vazhduar turravrapin tonë drejt horizontit të ri, Shqipërisë evropiane. Në këtë rrugë, në këtë përpjekje, në këtë turravrap, për ne nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë të përjashtuar. Përkundrazi, ftesa jonë është të vazhdojmë së bashku, sepse të gjithë ne meritojmë Kuçovën evropiane, Shqipërinë evropiane”, shpreh kreu i ekzekutivit. 

Gjithashtu, kryeministri Berisha iu bëri thirrje qytetarëve të marrin letërnjoftimet si dëshmi të identitetit me vendet e zhvilluara.

“Zgjedhjet po afrojnë, po afron fitorja e madhe, fitorja e 22 marsit. Thirrja ime vëllazërorë për ju dhe të gjithë qytetarët shqiptarë, pavarësisht nga bindjet e tyre politike, është që ta shndërroni këtë javë të fundit në javën e përgjegjësisë suaj maksimale qytetare, të merrni letërnjoftimet e reja, t’i merrni ato si dëshmi e identitetit, të njëjta me të gjitha vendet e zhvilluara në botë. Me letërnjoftimin e ri, qytetarët e Kuçovës dhe të mbarë Shqipërisë kanë me vete dokumentin më modern të identitetit në Evropë. Merrni letërnjoftimet që të votojmë të gjithë dhe t’i shndërrojmë këto zgjedhje në festën e madhe të besimit tonë tek vetja, tek njeri-tjetri, tek Kuçova, te Shqipëria, tek e ardhmja, tek Evropa”, tha Kryeministri.

Në vijim, kryetari i PD-së Berisha i bëri thirrje edhe një herë kryetarit të Partisë Socialiste të çlirohet nga kompleksi i humbjes dhe të regjistrohet në listën e kandidatëve. 

“Eja dhe regjistrohu në listë, në përputhje me parimin më themelor të pluralizmit. Nuk mund të nisësh në betejë mbështetësit e tu dhe vetë t’ia mbathësh. Kjo nuk pranohet. Dil në krye të listës. Unë jam gati të mbledh parlamentin, të ndryshoj ligjin, të krijoj të gjitha kushtet, ashtu si t’i duash, mjafton që ti të vendosesh në krye të listës së socialistëve”, u shpreh Berisha

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›