Mediu: Anëtarësimi i Shqipërisë në BE, prioritet gjatë mandatit tonë të dytë qeverisës

Kryetari i Partisë Republikane Fatmir Mediu ka zhvilluar dje një takim elektoral në bashkinë e Divjakës, ku u shpreh se, “projekti dhe angazhimi i koalicionit të djathtë, gjatë mandatit të dytë qeverisës është anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian”.
Kreu Republikan nënvizoi se, “ka ardhur koha që ne të shikojmë me realizëm atë që kemi bërë, por edhe me përgjegjësi të madhe atë që duhet të bëjmë, nqs në katër vjet anëtarësuam Shqipërinë në NATO, nëse në katër vjet kthyem besimin e BE-së, si një vend dinjitoz për të qënë anëtarë i tij, në qoftë se në katër vjet investuam në 18 për qind të buxhetit në infrastrukturë, pra nëse kthyem besimin te shqiptarët dhe investitorët e huaj, kemi akoma shumë për të bërë, sepse kemi detyrime për qytetarët tanë, për të vazhduar përpara”.
Duke vijuar më tej Mediu tha se, “ashtu si arritëm NATO-n, me punë çdo ditë, çdo muaj, çdo vit, me një vizion të qartë për atë që donim të arrinim, e bëmë Shqipërinë anëtare të NATO-s. Tashmë prioritet për ne është anëtarësimi i vendit atje ku i takon, në Bashkimin Evropian. Dhe këtë do ta arrijmë të gjithë bashkë”.
Duke kërkuar votën e elektoratit, Mediu tha se “Duke votuar Partinë Republikane e ardhmja evropiane, e reformave të suksesshme, e investimeve të mëdha është e sigurt”.
Në vazhdën e premtimeve elektorale, Media tha se, “ne do të bëjmë çdo gjë, në mënyrë që shqiptarët të kenë një jetë përherë e më të mirë, pasi ky është detyrimi ynë para tyre, detyrim ligjor por dhe moral mbi të gjitha”. Gjatë fjalës së tij kreu republikan preku çështjen e pronës, duke premtuar se “Gjatë mandatit të dytë tonit, ne do të kërkojmë me këmbëngulje zgjidhjen e çështjes së pronës. Kemi bindjen se kjo çështje do të zgjidhet përfundimisht, për hir të së drejtës, për t’i bërë rrugë një Shqipërie Evropiane”.
...