Kreu i KQZ, flet për masat për organizimin e procesit zgjedhor për disa njësi vendore

KQZ-ja e ka mbyllur komunikimin zyrtar, PS vetëpërjashtohet nga gara e pjesshme
Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Arben Ristani deklaroi dje se KQZ, përmes shkresave, e ka mbyllur komunikimin zyrtar me Partinë Socialiste për sjelljen e propozimeve për anëtarët e Komisioneve të Zonave të Administrimit Zgjedhor (KZAZ), në zgjedhjet e pjesshme të 15 nëntorit.
“Mungesa e përgjigjes është normalisht përgjigje negative”, u shpreh Ristani.
Gjatë mbledhjes së djeshme në Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, u konstituuan komisionet zonale të administrimit zgjedhor (KZAZ) që do të funksionojnë për zgjedhjet e pjesshme vendore të 15 nëntorit.
Dje ishte afati i fundit i paracaktuar nga Komisioni për regjistrimin e kandidatëve për zgjedhje, si dhe paraqitjen e emrave të anëtarëve të KZAZ-ve.
Ndërsa, Partia Socialiste e opozitës ka vendosur që të mos marrë pjesë në këtë proces të pjesshëm elektoral, duke bojkotuar të gjithë procedurat e tij, që nga regjistrimi i kandidatëve e deri tek përfaqësimi në komisione, PBDNJ është partia tjetër opozitare që do të plotësojë boshllëkun e krijuar nga PS duke u përfaqësuar në përbërjen e KZAZ-ve. KQZ, pasi u njoh me situatën, vendosi t’i përcjellë PBDNJ-së kërkesën zyrtare për këtë qëllim.
“Përgatisni një shkresë për PBDNJ-në dhe t’ia dërgojmë për të plotësuar vendet bosh në KZAZ”, tha kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, duke iu drejtuar ekspertëve ligjorë të Komisionit.
Sipas Kodit Zgjedhor (neni 29) ngritja e KZAZ-ve bëhet sipas kësaj procedure: dy anëtarë propozohen nga partia kryesore e shumicës parlamentare, dy anëtarë propozohen nga partia kryesore e opozitës parlamentare, një anëtar propozohet nga partia e dytë e shumicës parlamentare dhe një anëtar propozohet nga partia e dytë e opozitës parlamentare. Në rast se nuk arrihet ky baraspeshim politik, grupi përkatës kompensohet me kandidaturat e partisë kryesore deri në baraspeshimin politik shumicë-opozitë. Zgjedhjet e pjesshme do të mbahen në njësinë bashkiake nr. 10 në kryeqytet, në bashkinë e Fushë-Arrëzit, bashkinë Klos, komunën Fierzë dhe komunën Otllak, ku ish-drejtuesit e tyre janë larguar nga këto poste, pasi fituan mandatin e deputetit në zgjedhjet e përgjithshme të 28 qershorit.
...