E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kreu i LSI-së, Meta nënshkruan aleancë zgjedhore me PSv91

Ilir Meta dhe Petro Koçi vendosën dje urat e bashkëpunimit duke nënshkruar paktin e aleancës parazgjedhore. Marrëveshja e lidhur për pjesëmarrjen në koalicion zgjedhor të parlamentareve të 28 qershorit, synon të realizojë një konkurrim në një koalicion të përbashkët zgjedhor, me lista të veçanta për secilin subjekt politik, të kandidatëve për deputetë. Së dyti, koalicioni do të ketë një program të përbashkët zgjedhor dhe qeverisës, i cili do të integrojë prioritetet politike të të dyja partive. Dhe së treti, kjo marrëveshje ka vlerë edhe për angazhimin paszgjedhor të dy forcave politike në bashkëqeverisjen e ardhshme. "Sot ne zgjerojmë koalicionin tonë, duke nënshkruar marrëveshjen me Partinë Socialiste të Vërtetë ‘91, të drejtuar nga z. Petro Koçi. Firmosja e sotme është një garanci shumë e rëndësishme për fitoren e koalicionit tonë në zgjedhjet e ardhshme, për triumfin e zgjedhjeve progresiste dhe për garantimin e një qeverisjeje të majtë dhe progresiste pas 28 qershorit", theksoi Meta. Qeverisja jonë, tha ai, do të jetë në interes të qytetarëve shqiptarë dhe do të ketë në themelet e veta politika ekonomike dhe sidomos sociale, të cilat do të integrojnë shqiptarët në jetën sociale e ekonomike dhe jo t‘i përjashtojnë ata. Njëkohësisht, Meta konstatoi se kjo marrëveshje është një garanci shumë e rëndësishme për fitoren tonë më 28 qershor, sepse jo vetëm kasta e Sali Berishës do të marrë fund me votën e shqiptarëve, por nuk do të ketë as rotacion kaste. "Ne nga kjo tribunë bashkëpunimi u bëjmë thirrje të gjithë të majtëve, të gjithë socialistëve të vërtetë kudo që të jenë, që në 28 qershor t‘u drejtohen pa ngurrim kutive të votimit, për të fituar zgjedhjet, sepse zgjedhjet do t‘i fitojë ai bllok politik, i cili tërheq në procesin e votimit më shumë mbështetës se sa blloku tjetër", tha kreu i PSv91, Petro Koçi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›