E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pronat, PD dhe PR dalin jashtë loje

Dy partitë kryesore të së djathtës kanë humbur përfundimisht mbështetjen e shtresës së ish-pronarëve për zgjedhjet e 28 qershorit. Përfaqësuesi i shoqatës "Pronësi me Drejtësi", Myrshit Vorpsi konstaton se "nismën ligjore për pronat ia besuam deputetit Gilman Bakalli (Partia Ligj dhe Drejtësi), pasi nuk besojmë më tek Partia Demokratike dhe Partia Republikane". Duke filluar që nga viti 1993 e deri më sot janë miratuar një sërë ligjesh, me anë të të cilave është bërë përpjekje për zgjidhjen e problemit të pronave, megjithëse rezultati është në dukje i largët. Pas ardhjes në pushtet të demokratëve, çështja e pronave ngeli sërish problematike, ku më shumë sesa zgjidhje ofroi konfuzion tek kjo shtresë. Të zhgënjyer nga zvarritjet ish-pronarët tradhëtuan përfundimisht PD dhe PS, për t‘ia besuar kauzën e tyre deputetëve të shkëputur tanimë nga Partia Demokratike. Propozimi i djeshëm për amendim në ligjin e pronave, bëra nga deputeti Bakalli kërkon që të shtyhet afati i dorëzimit të dokuemntave për shpronësimin e pronarëve nga data 31 dhjetor 2008 që ishte, në datën 30 qershor 2014. Miratimi i Kushtetutës në vitin 1998 dhe veçanërisht Neni 41 i saj ishte neni që i dha vendin e duhur të drejtës së pronësisë që qëndron në themel të rendit kapitalist. Në dispozitat kalimtare të Kushtetutës, neni 181, ishte saktësuar që brenda dy deri tre vjetësh duhet të nxirrej ligji i ri për problemin e pronësisë, në përputhje me nenin 41, por u deshën gjashtë vjet që të arrihej miratimi i ligjit 9235 dt.29.07.2004 "Për kthimin dhe kompensimin e pronës" i ndryshuar. Në relacionin e hartuar nga deputeti i Shkodrës, citohet se miratimi i këtij ligji ishte një hap përpara në krahasim me ligjet e tjera. Por, subjekteve të shpronësuara do t‘u kërkohej hapja edhe një herë nga fillimi i dosjeve pranë degëve Agjensisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në qarqe pasi, sipas këtij ligji, dhe ndryshimeve të mëpasshme të tij, subjektet e shpronësusra duhej të plotësonin një sërë dokumentesh të reja sidomos planvendosjet e pronave. Njëkohësisht degët e AKKP në qarqe, duhej të plotësonin informacionin e tyre edhe me të dhëna plotësuese nga institucione si pushteti lokal, ZRPP, urbanistika, zyrat e mbrojtjes së tokës dhe në shumë institucione të tjera. "Kjo ka bërë që shumë subjekte të shpronësuara akoma nuk kanë hapur dosjet e tyre edhe për arsyen e thjeshtë se stafi i punës në agjencitë Rajonale te Kthimit dhe Kompensimit të Pronave është ndryshuar shume herë, po ashtu dhe rregullat e pranimit të dosjeve", shprehet Bakalli. Sipas tij, nga informacionet rezulton se në të gjitha zyrat e AKKP-së në qarqe ka radhë të gjata prej qindra subjektesh të shpronësuara që kërkojnë të hapin dosje. "Një problem tjetër që ka penguar subjektet e shpronësura për hapjen e dosjeve është dhe rinovimi i plotë i gjithë dokumentacionit. Gjithë dokumentat që kërkohen kanë formate të caktuara duke bërë të pavlefshme dokumentat e vjetra, të paraqitura", shton Bakalli. Në relacion të projektligjit thuhet se "kjo u‘a ka vështirësuar pafundësisht punën e plotësimit të dokumentacionit, subjekteve të shpronësuara, sidomos nga ana financiare, deri në atë pikë sa për të marrë një vërtetim të thjeshtë, me dy rreshta, paguajnë 500 lekë të reja, pa llogaritur kostot nën dorë". Aty vihet theksi edhe tek mangësitë dhe vështirësitë që fillojnë nga arkivat hipotekore, kadastrale dhe Arkivi i Shtetit.

Shitja e tokave te privati, opozita: Qeveria po bën favore

Malaj: Nuk votoj pa mësuar se kush përfiton. Vokshi: Procesi, i hapur

Ndryshimet në ligjin "Për kthimin dhe kompensimin e pronës" krijuan debate të forta dje në Komisionin Parlamentar për Ekonominë dhe Financat. Varianti i propozuar nga qeveria nuk është parë me sy të mirë nga opozita, pasi më së shumti prek procesin më delikat të zhvillimit ekonomik të vendit. Çështja e pronave vazhdon të mbetet problem për vendin aq sa në të gjitha raportet e ndërkombëtarëve, Shqipëria merr notën negative. Për këtë arsye, deputetët e Partisë Socialiste, anëtarë të Komisionit të Ekonomisë kërkuan më shumë kohë për ta shqyrtuar projektligjin, në mënyrë që vendimi për miratim të jetë sa më i drejtë. Propozimi i Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës lidhet me tokat që janë në përdorim të ndërmarrjeve private ku shteti zotëron aksione. Sipas ndryshimeve në ligj, ato toka që janë në pronë të shtetit do t‘u shitet ndërmarrjeve private, kurse të ardhurat do të shkojnë për fondin e kompensimit të ish-pronarëve. Nëse toka ku ndodhet ndërmarrja e ka një pronar të njohur nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronës-AKKP-ja, atëherë e ardhura nga shitja e truallit shkon direkt për ish-pronarin e pronës. Në parim, opozita është shprehur pro këtyre ndryshimeve në ligj, por nga ana tjetër ka kërkuar më shumë të dhëna rreth mënyrës sesi do të zbatohet procedura e re. "Gjithnjë e më shumë rastet korruptive po përfshijnë çështjen e pronës. Aktet juridike të miratuara nga qeveria e kanë bërë procesin e kthimit dhe kompensimit të pronës tepër kaotik. Nëse këto ndryshime në projektligjin e ri shërbejnë pozitivisht për procesin, atëherë na sillni efektet që priten", tha deputeti i PS-së, Arben Malaj. Sipas drejtoreshës që mbulon politikat nxitëse për biznesin në Ministrinë e Ekonomisë, Mimoza Vokshi, "ndryshimet në ligj erdhën pas konstatimit të disa rasteve korruptive me pronën shtetërore". Ajo shton se, disa ndërmarrje private kanë bërë ndryshime të kapitalit, kurse të tjera kanë shitur tokën, pa marrë miratimin e ministrisë. "Ne duam të bëjmë disa rregullime të nevojshme për të dyja palët, privatit dhe ish-pronarit. Kemi katër raste, të cilat është hipotekuar trualli që iu është dhënë këtyre shoqërive. Duke gjetur kaq shumë probleme me sh.p.k-të ne po kërkojmë zgjidhjen ligjore për të ndihmuar ish-pronarët dhe firmat private, jo ato që janë drejt falimentit", nënvizoi Vokshi.

Por deputeti tjetër i PS-së, Erjon Braçe, ka paraqitur dyshime mbi mënyrën sesi do të zbatohet ky proces. "Për cilat ndërmarrje bëhet fjalë: Kush nga ish-pronarët do të përfitojë? Sa do të jetë fondi që do të krijohet nga shitja e tokave te privati dhe sa është sipërfaqja? Nuk kuptoj pse nuk jepni sqarime të hollësishme rreth këtij procesi. Ne duam të kuptojmë se kujt doni t‘i bëni nder me këtë ndryshim në ligj?", tha Braçe. Një tjetër përfaqësues nga Ministria e Ekonomisë, tha se bëhet fjalë për rreth 100 ndërmarrje, ndërsa lista e objekteve mund të bëhet patjetër transparente. Shqetësimi i opozitës lidhet me situatën ekonomike të këtyre ndërmarrjeve private, të cilat mund të përfitojnë tokë shtetërore në mënyrë të paligjshme, në një kohë kur qeveria është në kërkim të trojeve të lira për kompensimin e ish-pronarëve. Në fund të debateve, Komisioni i Ekonomisë, nuk mundi ta miratonte projektligjin e qeverisë, pasi opozita braktisi sallën në shenjë proteste. "Do të japim mbështetjen tonë nëse na jepen me detaje të gjitha ato që kërkuam më sipër", tha në fund të fjalës, Malaj.

Procedura të reja për tjetërsimin

e pronës të ish-pronarëve dhe shtetit

Ligji i ri "Për kthimin dhe kompensimin e pronës" është miratuar pak kohë më parë nga Këshilli i Ministrave, ndërsa këto ditë po diskutohet me grupet e posaçme parlamentare. Sipas Mimoza Vokshit, ky projektligj është bërë me ndryshime të kërkuara nga ish-pronarët, kurse sa u takon projekteve koncesionare, jo të gjitha do të përfshihen në këtë proces.

Konkretisht, në ligj shtohet një pikë tjetër te neni 8, ku në të thuhet se, për tokat e dhëna në përdorim, me qira ose në ndonjë formë tjetër, shoqërive tregtare, ku shteti zotëron pjesë të kapitalit ose aksione, për zhvillimin e veprimtarisë së tyre, veprohet si vijon: Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike në Ministrinë e Financave nga sipërfaqja e tokës së dhënë ka të drejtë t‘iu shesë shoqërisë, me çmim tregu, sipërfaqen e domosdoshme për ushtrimin e veprimtarisë, sipas kritereve të përcaktuara me Vendim të Këshillit të Ministrave, ndërsa sipërfaqja tjetër, nëse ka të tillë, i kthehet fizikisht subjektit të shpronësuar.

Më tej projektligji sqaron se, kur toka e shitur i është njohur subjektit të shpronësuar, të ardhurat nga shitja i kalojnë atij, ndërsa kur toka ka qenë dhe është në pronësi të shtetit, të ardhurat nga shitja kalojnë në fondin e kompensimit

Një tjetër pikë e re që i shtohet nenit 8 thotë se, "nëse shoqëria refuzon blerjen e tokës, brenda afatit të përcaktuar nga Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronës Publike, toka i kthehet fizikisht pronarit të shpronësuar, kur ka të tillë, dhe marrëdhëniet ndërmjet shoqërisë dhe subjektit rregullohen sipas legjislacionit civil shqiptar".

Në nenin 23 ka pasur të tjera ndryshime, që lidhen me krijimin e të ardhurave nga zbatimi i ligjit "Për kthimin dhe kompensimin e pronës". Ky ligj ka për qëllim të kryejë privatizimin e pasurisë shtetërore, për të cilat nuk ka vendim të dhënë nga komisionet e kthimit dhe kompensimit të pronave, të shiten me anë të procedurës së ankandit. Sipas Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, kjo shtesë është bërë pasi, që nga viti 2005 e deri më tani, kanë kaluar në privatizim vetëm prona shtetërore, për të cilat ka pasur vendime nga Komiteti i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave për t‘iu kthyer ish-pronarëve. Kjo gjë bëhet për të rritur eficensën e këtyre pronave, të cilat nga viti në vit po degradohen, sqaron ministria. Lidhur me çmimin e tregut që thuhet në ligj, ekspertët sqarojnë se i referohet hartës së vlerës të miratuar në Këshillin e Ministrave.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›