"Pronat", Presidenti Topi replikon me ministrin Alibeaj
E drejta e informimit ka "thyer" heshtjen e brishtë mes Qeverisë dhe Presidencës. Në seminarin e organizuar nga Avokati i Popullit, Presidenti Topi dhe përfaqësuesi i qeverisë, ministri Enkelejd Alibeaj kanë ndarë opinione të ndryshme për të drejtën e informimit që iu takon me ligj qytetarëve shqiptarë. Gjatë fjalës së tij Presidenti Topi deklaroi se qytetarët nuk kanë akses për informim në zyrat e shtetit duke iu referuar edhe situatës kaotike në zyrat e pronave. Nga ana e tij Ministri Alibeaj, insistoi se nuk është e vërtetë që zyrat pengojnë dhënien e informacionit, por qytetaret duhet te motivojne ligjerisht kërkesat e tyre. "Sot për sot nuk ka në administratën publike, të paktën në ekzekutiv, asnjë lloj pengese për marrjen e informacionit. Jo vetëm kaq, por ka mekanizma të përcaktuar në ligj, në akte nënligjore, në urdhra dhe rregullore për lehtësimin e marrjes së informacionit", tha Alibeaj. Sakaq, Presidenti theksoi se ka mjaft të dhëna që e drejta për informim, më shumë është pjesë e një fjalori, që përdoret kur thuhet se secili ka të drejtën të informohet. Por nga ana tjetër, tha ai, ka mjaft ankesa nga qytetarë të thjeshtë. Duke vlerësuar rolin e medias në pasqyrimin dhe investigimin e çështjeve, kreu i shteti theksoi se "shpeshherë, ne mendojmë që futja e medias në disa çështje, të cilat konsiderohen pjesë, atribut ekskluziv i administratës, mund të jetë një gjë e dëmshme, absolutisht. Unë do ta konsideroja këtë një mekanizëm komplementar, që aty ku institucionet publike, administrata nuk ka transparencën e duhur, sot mekanizmat në demokraci funksionojnë të tilla, që ka mekanizma kontestatorë, që futen në veprim pikërisht në funksion të qytetarëve". Presidenti preferoi që diskutimin e tij në lidhje me të drejtën e pronës të mos e linte thjeshtë në kuadrin e terminologjisë, por në tryezën e seminarit ai solli shembuj konkret ku mungon kjo transparencë dhe një rast konkret është çështja e pronës. "Në mjaft raste, qytetarët janë të painformuar, nuk gjejnë aksesin e duhur për t‘u informuar, shpeshherë këto veprime administrative edhe nga punonjës të rëndomtë të administratës bëhen në konspiracion pikërisht për të realizuar qëllime të errëta të tjetërsimit të pronës, dhe në mjaft raste ky debat zhvillohet në media", theksoi ai. Pra, shtoi Topi, është më i pranishëm në media pikërisht për shkak të mungesës së plotë të tansparencës për marrjen e informacionit" është shprehur Presidenti i Republikës. Duke dhënë shembull personal Presidenti theksoi se gjithë kohës është munduar të jetë tarsparent dhe këtë frymë e ka futur edhe në institucionet që ai drejton si President i Republikës.