E Shtunë, 31 Tetor 2026

Protesta për Gërdecin, Rama mbledh aleatët

Tre muaj para zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit, Partia Socialiste konfiguroi koalicionin e saj. Organizimi i një manifestimi në njëvjetorin e tragjedisë së Gërdecit mblodhi bashkë Edi Ramën, Skënder Gjinushin, Erion Veliajn dhe Paskal Milon. Në tryezën e djeshme ishin të pranishëm edhe përfaqësues të Shoqatës së Ushtarakëve në Lirim, Sindikatës së Minatorëve, Komitetit Kombëtar të Veteranëve, shoqatës "Gërdeci" dhe Konfederatës së Sindikatave. Të gjithë i janë përgjigjur thirrjes së PS-së për t‘u bashkuar në manifestimin e madh qytetar nën moton "Mos harro!" në përvjetorin e parë të tragjedisë së Gërdecit. Siç është lajmëruar më herët, ky manifestim qytetar do të zhvillohet pa flamuj partish, por me ngjyrat e flamurit kombëtar dhe flamurit evropian. "15 marsi është dita për të mos harruar. Është dita për t‘u bërë të gjithë bashkë, në kujtim të atyre që humbën jetën në një tragjedi jo natyrore. Në mbrojtje të së ardhmes së këtij vendi, duke mbrojtur jetën e të gjithëve dhe duke e garantuar atë përmes një cilësie të re, jetese dhe bashkëjetese, qytetare e demokratike", theksoi Edi Rama. Sipas tij, Shqipëria e shumë plagëve të hapura, më 15 mars i kthehet një plage, e cila mund të mbyllet kur të bëhet drejtësi, kur e vërteta të zbardhet plotësisht dhe kur të gjithë përgjegjësit të marrin atë që u takon. E, nga ana tjetër, shtoi ai, mund të mbyllet vetëm kur të gjitha familjet e dëmtuara të kthehen në normalitet. I pyetur për protestën paralele të LSI-së, Rama tha: "Për fat të keq, gjërat janë kështu. Vija që ndan të shkuarën me të ardhmen, që ndan koalicionin e së shkuarës me bashkimin e ri për të ardhmen, është e qartë për të gjithë çdo ditë e më shumë". Kreu i PSD-së, Skënder Gjinushi, u shpreh se i bashkohet protestës që do të organizohet më 15 mars. "Jemi para ndryshimit të madh dhe të gjithë duhet ta kuptojnë se duhet të kontribuojnë në këtë ndryshim për veten, për gjithë Shqipërinë, për të mos ndodhur më asnjë Gërdec tjetër", nënvizoi Gjinushi. Sakaq, kreu i G99-ës tha se i "kemi të gjitha arsyet jo vetëm për ta përkujtuar atë ditë, por edhe për t‘i treguar çdo skeptiku, i cili thotë kur do të jetë dita që do të ngrihen këta njerëz". E duam shumë Shqipërinë që ta lëmë në dorë të Sali Berishës dhe Ilir Metës, tha ai, që të përsëritet sërish Gërdeci. "Prej kohësh kemi vendosur që data 15 mars të mbetet në kujtesën e të gjithë banorëve të asaj zone, në kujtim të atyre që kanë humbur jetën", u shpreh Gëzim Gjoni i shoqatës "Gërdeci". Shoqata e Ushtarakëve në Lirim, përmes Mehdi Pogaces, bëri thirrje për pjesëmarrje në protestë. "Tragjedia e Gërdecit është një tragjedi e madhe kombëtare. Janë vrarë njerëz të pafajshëm, për interesa të ngushta të pushtetarëve. U përdoren mjetet e luftës për të vrarë popullin për përfitime personale", theksoi Rustem Peçi nga Komiteti Kombëtar i Veteranëve. Përfaqësuesi i Sindikatës së Minatorëve, Fiqiri Xibri, nënvizoi se duhet të përkujtohet Gërdeci, sepse kemi fituar veten tonë, statusin për të cilin po luftojmë, kemi fituar harresën. "T‘i thërrasim ndërgjegjes sonë civile dhe kombëtare, se jeta duhet të jetë diçka e garantuar", u shpreh Kolë Nikolla nga Konfederata e Sindikatave.

Përbërja e frontit opozitar

Partia Socialiste

Partia Socialdemokrate

Partia Demokracia Sociale

Lëvizja G99

Shoqata "Gërdeci"

Shoqata e ish-Ushtarakëve

Shoqata e Minatorëve

Shoqata e Veteranëve

Konfederata e Sindikatave

Momenti

Rama dhe Meta, kafe

pranë njëri-tjetrit

Në të njëjtin moment kur kreu socialist kishte mbledhur koalicionin protestues për njëvjetorin e tragjedisë së Gërdecit, kreu i LSI-së kishte takim me Petro Koçin. Palët kanë ndarë për disa momente ambientet e kafesë dhe hollit të hotel "Tiranës", por nuk kanë komunikuar. Kreu socialist ishte në tavolinë nën shoqërinë e Vali Bizhgës, ndërsa Meta bashkë me një pjesë të drejtuesve të partisë diskutonte me kreun e PSv91. Pasi kanë konsumuar kafenë dhe bisedat, secili grup ka vijuar aktivitetin normal të ditës. Shenjë kjo që vë në dukje edhe një herë ndarjen mes dy koalicioneve të së majtës.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›