E Diel, 1 Nëntor 2026

Rindërtimi i Gërdecit, investim 1.3 mln euro

Qeveria shqiptare, në marrëveshje me delegacionin e komisionit vendosi të alokonte një shumë totale prej 3.1 milionë euro për "Gërdecin". Shuma e caktuar do të përdoret për projektin e "Rigjallërimit të infrastrukturës së Gërdecit", me qëllim rigjallërimin e zonës së Gërdecit, nëpërmjet ndërhyrjeve për përmirësimin e infrastrukturës, të situatës në shkolla dhe atë mjedisore, duke siguruar lehtësirat e nevojshme për këtë zonë të dëmtuar. Shuma do të shkojë gjithashtu për ndërtimin e një shkolle të re, si dhe do të rindërtohen plotësisht rruga kryesore dhe rrugët e brendshme të fshatit Marqinet 1 dhe lagjes "Llanaj". Granti për Gërdecin është pjesë e programit IPA për vitin 2008, i cili kap shifrën e 60.9 milionë eurove dhe që kryesisht shkojnë në mbështetje të procesit të integrimit të Shqipërisë në BE. Marrëveshja për ringritjen e Gërdecit u firmos dje nga ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, dhe ambasadori i KE-së në Tiranë. Gjatë fjalës së tij, ambasadori i Këshillit të Evropës në Tiranë, Helmut Lohan, theksoi se "KE-ja do ta ndihmojë Shqipërinë në dy drejtime, së pari për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian dhe së dyti për të investuar në rindërtimin e Gërdecit". Sipas Lohan, marrëveshja për Gërdecin është e veçantë, pasi aty do të ngrihen laboratorë, të cilët do të matin ajrin dhe do të monitorojnë kushtet mjedisore, fondi për të cilin do të jepet nga KE-ja. "Kjo marrëveshje vjen si reagim ndaj tragjedisë", tha ambasadori i KE-së, duke shtuar se ngjarja në Gërdec ishte katastrofike.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›