E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kreu i LSI-së në Skrapar

19/03/2009  I pranishëm në 65-vjetorin e krijimit të Brigadës VII sulmuese

Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta ishte dje i pranishëm në festimet që u zhvilluan në Skrapar me rastin e 65-vjetorit të krijimit të Brigadës VII sulmuese dhe kontributit që kjo brigadë dha në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Kështu, ndalur në një festë të tillë, Meta vuri në dukje se “është një kënaqësi e veçantë për mua të jem i pranishëm në 65-vjetorin e krijimit të një prej brigadave më heroike të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare - të Brigadës së VII sulmuese.” Nga ana tjetër kreu i LSI-së nuk harroi të evidentonte mungesën e përfaqësuesve të qeverisë apo të Ministrisë së Mbrojtjes. “Është për të ardhur keq që në këtë festë mungojnë përfaqësuesit e qeverisë. Në këtë festë nuk përshëndet askush nga Ministria e Mbrojtjes, sepse ata nuk e kanë kuptuar akoma që në themelet e integrimit të Shqipërisë në NATO qëndron pikërisht angazhimi dhe rreshtimi i drejtë i partizanëve në LANÇ, në krahun që e fitoi betejën kundër nazifashizmit”, - vlerësoi Meta. Megjithatë, sipas tij, pavarësisht nga kjo sjellje, nuk mund të sfidohet dhe të hidhet poshtë Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare. Për këtë arsye kreu i LSI-së risolli në kujtesë rastin kur qeveria dhe pushteti vendor në Shkodër hoqën pesë heronjtë e Vigut nga sheshi kryesor i këtij qyteti, duke menduar se në këtë mënyrë mund të zhvlerësojnë luftën tuaj. “Fakti që ne jemi kaq shumë këtu dhe që do të jemi më shumë në të ardhmen, tregon se idealet për liri, për Shqipërinë demokratike, ku njerëzit të jenë të lirë dhe të jetojnë më mirë, të çlirohen nga varfëria, sikurse ndodh vitet e fundit, mbeten të gjalla te sakrificat që kanë bërë ata 300 dëshmorë të Brigadës VII sulmuese, apo edhe gjithë ato sakrifica që keni bërë të gjithë ju dhe të afërmit tuaj në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare”, - nënvizoi Meta në fjalën e tij gjatë ceremonisë të përkujtimit të kësaj date historike.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›