E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA projekt për antikorrupsionin

19/03/2009  Sfida e Mijëvjeçari

Shqipëria ka nisur një partneritet të dytë dyvjeçar me Agjencinë e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) për antikorrupsionin në kuadër të Programit të Pragut të Sfidës së Mijëvjeçarit. Marrëveshja dypalëshe me USAID-in e angazhon Shqipërinë në reforma të përcaktuara, që synojnë të reduktojnë korrupsionin dhe të forcojnë shtetin e së drejtës. Kështu, do të krijohen gjykata të veçanta administrative, do të krijohet një regjistër kombëtar planifikimi për t’i bërë procedurat e nxjerrjes së lejeve të ndërtimit më transparente, si dhe të zgjerojë dhe konsolidojë reformat në fushën e administrimit të tatimeve, që kanë filluar gjatë fazës së parë të programit të Sfidës së Mijëvjeçarit. Programi i Ndihmës dhe i Trajnimit të Zhvillimit të Prokurorisë (OPDAT) i Departamentit Amerikan të Drejtësisë, një partner në Programin e Sfidës së Mijëvjeçarit, do të punojë me Prokurorinë e Përgjithshme për të krijuar edhe gjashtë njësi të tjera të përbashkëta investigative nëpër rrethe. Zëvendëskryeministri Genc Pollo ka shprehur besimin se Shqipëria do të bëjë përmirësime të dukshme dhe të prekshme në fushën e biznesit dhe në atë ligjore në kuadër të programit. Drejtoresha e USAID-it, Roberta Mahoni, e quajti programin një test për angazhimet e Shqipërisë në ndërmarrjen dhe thellimin e reformave për një menaxhim të përgjegjshëm, efikas dhe transparent të sektorit publik dhe shtetit ligjor më të fortë në kuadër të anëtarësimit të saj në NATO.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›