Kreu i Misionit të OSBE: Qeveria shqiptare, çdo përpjekje në funksion të transparencës së 8 majit

Zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, z. Edmond Haxhinasto, priti sot në një takim kreun e Misionit të Vëzhguesve të OSBE/ODIHR-it, z. Jonathan McNaught Stonestreet, i cili, në krye të një grupi ekspertësh, me ftesë të qeverisë shqiptare, kanë mbërritur në Shqipëri më 27 Mars 2011, për t’i paraprirë misionit afatgjatë dhe afatshkurtër, të monitorimit të procesit zgjedhor të 8 Majit 2011.
Gjatë takimit ministri Haxhinasto theksoi se qeveria shqiptare është e angazhuar që të riafirmojë përvojën pozitive në realizimin e një procesi zgjedhor të lirë, të ndershëm, transparent, kompetitiv dhe në përputhje me standardet e kërkuara ndërkombëtare, ashtu siç janë certifikuar nga raportet e OSBE/ODIHR.
Më tej, ministri vuri theksin në rëndësinë e kontributit të gjithë aktorëve politikë në krijimin e klimës së duhur të bashkëpunimit, që do të garantojë zhvillimin e suksesshëm të procesit zgjedhor.
Nga ana e tij z. Stonestreet pasi vlerësoi qëndrimin e qeverisë shqiptare për ftesën për pjesëmarrje të një misioni të gjerë vëzhguesish, në funksion të rritjes së transparencës së procesit zgjedhor, dhe një vlerësimi të drejtë dhe objektiv të tyre, bëri një paraqitje të shkurtër të qëllimit të misionit dhe të aktivitetit të tyre në tërë periudhën e monitorimit