Kreu i PD: Do të respektoj statutin për listat e deputetëve
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka premtuar dje se do të respektojë statutin e partisë për hartimin e listave të deputetëve. I pyetur nëse do të presë afatin zyrtar të shpalljes së listave për deputetë apo PD do të bëjë një dalje të mëparshme publike, shefi i partisë më të madhe të vendit theksoi se "Kjo ka një përgjigje institucionale. Do të respektohen të gjitha etapat. Partia ka një statut, është një parti thellësisht e konsoliduar dhe kjo do të bëhet në përputhje me statutin e saj". Deri tani, një pjesë e mirë e deputetëve aktualë kanë nisur turin paraelektoral në rrethe për të prezantuar bilancin e punës katërvjeçare të qeverisë dhe për të shpalosur programin e saj të ri që bazohet tek arsimi, shëndetësia dhe punësimi. Kongresi elektoral i PD-së është përcaktuar më datë 23 maj, nga ku do të dalin edhe emrat zyrtarë të kandidatëve për deputetë që do të përfaqësojnë Partinë Demokratike në zgjedhjet e 28 qershorit. Në këtë kongres pritet të prezantohet edhe programi elektoral i ri i Partisë Demokratike për vitet 2009-2013.