E Diel, 1 Nëntor 2026

Kreu i PDK, Thaçi: Të respektohet rezultati

Kryeministri në detyrë i Kosovës,  Hashim Thaçi ka kërkuar nga subjektet politike të respektojnë rezultatin e zgjedhjeve që do të dalë nga KQZ. Me anë të një deklarate, Thaci ka theksuar se bazuar në vlerësimet e gjithanshme, të bëra deri tani nga misionet e ndryshme të vëzhguesve vendorë dhe ndërkombëtarë, përfshirë këtu edhe deklaratën zyrtare të Bashkimit Evropian nga zyra e Baroneshes Catherine Ashton dhe të komisionerit të BE-së për zgjerim, Stefan Fuele, procesi zgjedhor është vlerësuar shumë i qetë, i përgatitur mirë dhe pa deformime serioze teknike, që do të mund të vënin në dyshim rezultatin zgjedhor.

Kryeministri Thaci ka shpallur fitoren në zgjedhjet e para parlamentare në vend që prej shpalljes së pavarësisë, që në mbrëmjen e vonë të së dielës. Ai e cilësoi fitoren e PDK-së të pastër dhe bindëse, ndërsa është angazhuar të punojë edhe më fuqishëm si kryeministër i ardhshëm.

Kryeministri ka falënderuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për përgatitjen e këtyre zgjedhjeve në këtë afat të shkurtër zgjedhor. Ndërsa ka kërkuar nga Komisioni për Ankesa dhe Parashtresa, që të adresojnë të gjitha ankesat e mundshme, që me profesionalizëm t’i adresojnë të gjitha vërejtjet e mundshme dhe me vendimet e tyre ta përmirësojnë ndonjë parregullsi të mundshme.

Juli Prifti

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›