Nikolla: Mungesa e internetit, problem serioz
Kryetarja e njësisë bashkiake numër 1 Lindita Nikolla u shpreh për gazetën SOT, se numri i personave të cilët kanë aplikuar për karta identiteti në këtë njësi bashkiake ka arritur në 20500, ku 7200 e këtyre aplikantëve janë personat pa pasaportë dhe 13300 është numri i personave të cilët disponojnë pasaportë. Sipas saj ky është informacioni të cilën ajo ka mundur që të marrë, pasi informacioni i plotë se sa është numri i personave të cilët nuk kanë aplikuar akoma, nuk i është dhënë nga operatorët shpërndarës të firmës që ka fituar tenderin e bërjes dhe shpërndarjes së këtyre letërnjoftimeve.
Sipas Nikollës një problem serioz që ka hasur kjo qendër është ai i mungesë së internetit në këto qendra, dhe nuk është bërë asnjë lloj aplikimi pasi ka munguar informacioni për personat që do të aplikonin, për arsye se nuk funksiononte regjistri i gjendjes civile, pasi i gjithë sistemi i tyre është vendosur në sistemin kompjuterik. Ndërsa theksoi se ka 300 persona të cilët akoma nuk i kanë tërhequr kartat e identitetit. Aplikimin këta persona e kanë bërë që në muajin Shkurt, por nuk i kanë marrë për faktin se nuk janë sjellë nga firma prodhuese, nënvizoi Nikolla. Sipas saj ka akoma dhe shumë persona të cilët nuk kanë aplikuar për këto letërnjoftime. Ajo si drejtuese e kësaj minibashkie evidentoi dhe problemin e mos bashkëpunimit të operatorëve shpërndarës me njësitë bashkiake, ku sipas saj këta operatorë nuk japin asnjë lloj informacioni se sa është numri i aplikimeve të bëra, por e kalojnë këtë informacion në Ministrinë e Brendshme e cila del dhe raporton shifrat për numrin e personave që kanë aplikuar në njësitë bashkiake. Gjithashtu një problem tjetër që evidentoi Nikolla është edhe ai i mos çregjistrimi të personave të vdekur të cilët i gjen në listat e votuesve. Sipas saj ky problem nuk shkaktohet nga njësitë bashkiake por nga vetë të afërmit e këtyre personave të cilët nuk shkojnë për ti çregjistruar. Në njësinë tonë numri i personave të pa çregjistruar arrin në 10-15 vetë, po ky është një problem që i japin zgjidhje vetëm të afërmit, dhe këta të fundit duhet të zbatojnë ligjin, nënvizoi Nikolla.