Kullolli: Bashkëpunimi mes operatorëve të letërnjoftimeve, zero
Juristi i minibashkisë numër 2 Taulant Kullolli e vlerësoi si mjaft kritike dhe problematike gjendjen e pajisjes së banorëve të kësaj zone me letërnjoftimet elektronike. Sipas tij numri i aplikantëve për letërnjoftimet elektronike ka arritur në 30537 persona, por numri i atyre që i kanë tërhequr kartat e identitetit është 24313 persona.
Sipas tij këto janë informacionet që ka nxjerrë Ministria e Brendshme për këtë njësi bashkiake, pasi edhe këtu nuk ka bashkëpunim ndërmjet të ashtuquajturve aleatë, të cilët janë operatorët shpërndarës, të cilët nuk japin asnjë lloj informacioni. Bashkëpunimi ndërmjet kësaj njësie bashkiake dhe operatorëve të qendrave të shpërndarjes së letërnjoftimeve elektronike është zero, sepse ata nuk na japin asnjë lloj informacioni sepse këtë informacion ja japin direkt Ministrisë së Brendshme. Ata këtë informacion nuk ja japin as mediave, për faktin se shprehen se është një informacion i cili jepet nga ministria përkatëse, citoi Kullolli. Sipas tij një tjetër problem është edhe ai i mos dhënies së informacionit të saktë dhe nga vetë Ministria e Brendshme, e cila në muajin Shkurt ka raportuar se në njësinë bashkiake numër 2 ka 9000 persona të cilët nuk kanë aplikuar akoma ndërsa në muajin Mars raportoi se në këtë njësi ka 6000 persona të cilët nuk kanë aplikuar. Nuk ka qenë aspak i saktë dhe i vërtetë numri personave që nuk kishin aplikuar për letër njoftim, sepse numri i tyre ka qenë më i lartë, theksoi Kullolli.