E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kreu i PS mbyll fushatën në Lushnjë dhe Fier

Reformimi i qeverisjes dhe institucioneve shtetërore është prioriteti i qeverisë "Rama" në 100 ditët e para të ardhjes në pushtet. Në një intervistë për VOA, kreu i selisë rozë ka shpallur synimet kryesore në tre muajt e parë të qeverisë së tij.
"100 ditët e para do të jenë të fokusuara te reformimi i qeverisjes, për të krijuar kushtet që makina e qeverisë të vihet në lëvizje dhe t‘i nënshtrohet një remonti kapital për operacione radikale që do të lejojnë që institucionet tona të fillojnë të përgatiten për të përballuar të gjitha kërkesat e programit tonë dhe ne të hyjmë në një proces të modernizimit të vendit, duke modernizuar më parë pushtetin, në mënyrë që qytetarëve t‘u shërbehet më mirë", tha Rama. Duke folur për planet e tij, kreu i PS theksoi se qeveria e re do të punojë për të nxjerrë vendin nga kriza ekonomike globale, duke rihapur negociatat me Fondin Monetar Ndërkombëtar. "Ne do rihapim negociatat dhe do të nënshkruajmë programin me FMN dhe do t‘i mundësojmë Shqipërisë aksesin te ndihmat e këtij institucioni për vendet që janë prekur nga kriza. Vëmendje do t‘u kushtohet edhe remitancave dhe kursimeve të emigrantëve në Shqipëri", u shpreh ai.
Rama theksoi gjithashtu se qeveria e re do të jetë e hapur për të pranuar investimet e huaja, por ka nënvizuar se nuk do të lejojë ato investime që janë të dëmshme për Shqipërinë. Duke e vënë theksin te zgjedhjet, kreu i PS shprehu druajtjen e tij se ato nuk do të jenë në përputhje me standardet e kërkuara nga Bashkimi Europian, për shkak të qeverisë "Berisha", e cila sipas tij u vonua në kryerjen e proceseve paraelektorale. Sakaq, kryesocialisti Edi Rama u ndal dje në mbrëmje në Lushnjë dhe në Fier, për të mbyllur fushatën. Në këto takime, Rama është shprehur se edhe pak ditë i mbeten shqiptarëve për të qenë të detyruar që të shohin fytyrën e Kryeministrit, ndërkohë që bëri sërish thirrje që drejtuesit e institucioneve të mos bëjnë presion te punonjësit. "Jemi gati të marrim fatin tonë në dorë, t‘ua marrim një grushti pushtetarësh. Edhe katër ditë dhe ndahemi nga fytyra e padurueshme e Sali Berishës. Edhe katër ditë dhe do t‘u japim siguri, drita, punë, qetësi. Kryeplaku i politikës së vjetër po mundohet t‘ua marrë votat me kërcënime mafioze. Fati i betejës nuk shënohet me dhunë dhe lekë, por është shkruar në zemrat e të gjithëve. Do ta mbrojmë votën si dy vjet më parë në Tiranë", tha Rama. Para takimeve në Qarkun e Fierit, Rama u ndal në një sërë takimesh brenda Qarkut të Tiranës, në rrethinat e kryeqytetit. Kreu socialist zhvilloi disa takimeve në kombinat dhe më pas në Kashar, duke takuar banorë e duke biseduar me ta për programin me shtatë pika të PS-së.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›