E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri mbyll fushatën në Elbasan dhe Berat

Kryeministri Berisha e ka mbyllur fushatën elektorale në Qarkun e Elbasanit. Ndryshe nga herët e tjera, ai ka preferuar të lërë mënjanë opozitën dhe kryetarin e saj, Edi Rama, dhe t‘u bëjë thirrje zgjedhësve të këtij qarku që të votojnë PD-në më 28 qershor. Berisha premtoi se, nëse shqiptarët do t‘i besojnë edhe një mandat të dytë qeverisës, ai do të realizojë të gjitha reformat dhe projektet e lëna përgjysmë. Berisha premtoi ndërtimin e 20 hidrocentraleve në Qarkun e Elbasanit, se do të përfundojë procesin e legalizimeve, do të rrisë sërish pagat dhe pensionet. Po dje, kreu i qeverisë, Sali Berisha, ka mbyllur fushatën elektorale edhe në Qarkun e Beratit. Berisha ka zhvilluar një sërë takimesh me banorët e qytetit të Çorovodës, Poliçanit, Komunës Otllak në Rrethin e Beratit, si dhe ka përuruar përfundimin e punimeve në rrugën hyrëse të këtij qyteti. Berisha ka prerë shiritin e përurimit të përfundimit të punimeve të investimit prej 6 miliardë lekësh, që, sipas tij, është investimi më serioz që ka përfituar ky qytet ndër vite. Më pas Kryeministri ka premtuar rritje të investimeve për Qarkun e Beratit dhe përfundimin e Boshtit të Jugut. "Unë jam këtu për t‘ju premtuar se në katër vitet e ardhshme të qeverisjes sime do të shumëfishoj investimet në këtë qytet që mahnit çdo vizitor të tij. Ne do të sistemojmë çdo rrugë dhe rrugicë të këtij qyteti, do të investojmë për ndërtimin e një bulevardi në pjesën tjetër të qytetit në lagjen ‘Goric‘. Do të investojmë që rruga e re hyrëse të lidhet me një bulevard me qendrën e qytetit. Projekti kryesor i qeverisë së re do të jetë investimi për Boshtin e Jugut, që do të jetë prioritet i katër viteve të ardhshme të qeverisë", u shpreh Berisha. Ai ka premtuar se qeveria e re do ta shndërrojë Beratin në një nga potencialet kryesore turistike të vendit.
"Ne do të ndërtojmë rrugë të reja, por dhe rrugët e vjetra nuk do t‘i braktisim, pasi do të investojmë për rregullimin e tyre për ta shndërruar Beratin në potencialin kryesor turistik që në të ardhmen do të mirëpresë qindra e mijëra turistë, që do të mahniten nga bukuria mahnitëse e Tomorit, një tjetër resurs i kësaj zone", u shpreh më tej Berisha. Më tej, kreu i qeverisë premtoi subvencionim të fermerëve, furnizim me ujë 24 orë, si dhe financim të prodhimeve bujqësore. "Unë ju bëj thirrje që më 28 qershor të bashkohemi për të ardhmen tonë europiane për të ardhmen e një qyteti me potencial turistik, unë ju ftoj që të votoni për numrin 10, pasi numri 10 është Berati, është e ardhmja e vendit. Vitin e parë të mandatit unë ju premtoj se do të lëvizim pa viza, ashtu si të gjithë qytetarët e Europës", ka thënë Berisha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›