Topalli takon kryetarin e Asamblesë Parlamentare të Kinës
Në ditën e 60-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Kinës, një delegacion i Asamblesë Popullore Kombëtare të Kinës ndodhet për vizitë zyrtare në Shqipëri, me ftesë të kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli. Në takimin miqësor me kryetaren e Kuvendit u theksua se distanca gjeografike mes dy vendeve është e pandjeshme për shkak të marrëdhënieve të forta tradicionale politike dhe ekonomike. Delegacioni i mbërritur në Shqipëri i përket Komisionit të Bujqësisë në Asamblenë e Kinës, vend i cili, gjatë dekadave të fundit, është kthyer në një prej gjigantëve të ekonomisë në botë. Duke përgëzuar për këtë zhvillim ekonomik galopant të Kinës, kryetarja e Kuvendit shprehu kënaqësinë që bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve është intensifikuar, ndërsa ekziston i gjithë vullneti për të çuar në një tjetër nivel marrëdhëniet ekonomike. Anëtarët e delegacionit, duke e konsideruar si shumë domethënëse ftesën e kryetares së Kuvendit, por edhe vizitat e niveleve të larta të kohëve të fundit, shprehën interes në konkretizimin e mëtejshëm të bashkëpunimit, veçanërisht në fushën e ekonomisë.
24 Nentor 2009