E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nishani: “Do të dëmshpërblejmë të pushkatuarit pa gjyq brenda 2009-s”



Ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani, deklaroi dje në mbledhjen e Komisionit Parlamentar të Ligjeve, se gjatë vitit 2010 qeveria parashikon që të realizojë 1000 kërkesa të tjera, në kuadër të dëmshpërblimit të të përndjekurve politikë. Duke folur për projektbuxhetin e vitit 2010 për ministrinë që ai drejton, Nishani u shpreh se qeveria ka një plan, bazuar mbi ligjin e miratuar, që brenda 8 viteve të realizohet shpërndarja e të gjithë mbështetjes financiare apo kompensimit financiar për të dënuarit politikë. “Aktualisht po punohet me intensitet në Ministrinë e Drejtësisë, nga sektori përkatës dhe deri tani janë mbi 3500 kërkesa të realizuara dhe të kaluara me vendim qeverie, ndërsa është në përfundim një tjetër vendim qeverie me 500 kërkesa të tjera që kanë përfunduar të gjithë procesin e plotësimit të dosjeve sipas ligjit. Ne do të tentojmë që brenda këtij viti të realizojmë 1000 mijë kërkesa të tjera”, - tha ministri i Drejtësisë. Lidhur me kompensimin e familjarëve të personave të ekzekutuar pa gjyq, Nishani tha se dëmshpërblimi për këtë kategori do të mund të fillojë me t’u mbyllur procedurat e nevojshme ligjore. “Nga pikëpamja procedurale ne kemi qenë dhe mbetemi në negociata të vazhdueshme me Ministrinë e Financave, e cila na ka garantuar se në momentin që plotësohet pjesa e akteve të duhura nënligjore për këtë qëllim, pa dyshim që do të ketë dhe rialokim të buxhetit për të filluar menjëherë dëmshpërblimin e tyre”, - tha Nishani. Buxheti i Ministrisë së Drejtësisë i akorduar nga qeveria për vitin 2010 është 475 milionë lekë, ose rreth 8% më i lartë se ai i vitit 2009. Përveç zërit të pagave dhe shpenzimeve, një numër fondesh janë parashikuar për investime në sistemin e burgjeve, për kompensimin e ish-pronarëve, dixhitalizimin etj. Gjatë mbledhjes së djeshme të Komisionit të Ligjeve ishin të pranishëm përfaqësues të institucioneve të pavarura, konkretisht nga Gjykata Kushtetuese dhe Inspektorati i Lartë i Deklarimit të Pasurive, të cilët kërkuan më të tepër fonde. Gjykata Kushtetuese kërkoi një fond prej 7 milionë lekësh për ndërtimin e bibliotekës, ndërsa ILDKP-ja u shpreh se në buxhetin për këtë institucion mungojnë 9.2 milionë lekë.

24 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›