E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi: “Jam i gatshëm të bëj negociatorin mes Ramës dhe Berishës”



Eljona Ballhysa
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, është shprehur i gatshëm të luajë rolin e negociatorit mes Partisë Socialiste dhe asaj Demokratike për të zgjidhur krizën politike në të cilën ndodhet vendi. Deklarata erdhi dje nga kreu i shtetit, pas protestës treditore të Partisë Socialiste, të mbajtur në sheshin përpara Kryeministrisë. Me gjithë kërkesën e vazhdueshme të PS-së për të hapur kutitë e votimit, ende nuk ka një dritë jeshile nga e djathta. Madje duket se kriza po përshkallëzohet edhe më tej. Nga njëra anë PS-ja ka vënë 10 ditë afat për qeverinë për të reflektuar ndaj kërkesave të saj; nga ana tjetër, kreu i qeverisë u shpreh dje për organizimin e një tjetër mitingu. Pra në vend të një dialogu, palët po mundohen të tregojnë forcat në shesh me numrin e pjesëmarrësve në mitingje. Ndërkaq, duket se e vetmja shpresë për zgjidhjen e situatës është organizimi i një tryeze bisedimesh me ndërmjetësimin e Presidentit të Republikës, Bamir Topi.
Qëndrimi
Kreu i shtetit, ndërkaq, është shprehur i hapur dhe i gatshëm që të luajë rolin e negociatorit mes Ramës dhe Berishës. Por ai ka kërkuar që për këtë duhet të bien dakord të dy partitë politike. Sipas Topit, si Partia Socialiste, ashtu dhe Partia Demokratike duhet të kenë vullnetin politik për zgjidhjen e krizës në vend. Kjo deklaratë e Topit nënkupton nevojën e lëshimit nga të dyja partitë politike në mënyrë që të jetë i mundshëm kompromisi. Ndërkaq, presidenti Topi, i pyetur dje rreth gatishmërisë së tij për të ndërhyrë në zgjidhjen e ngërçit politik që po kalon aktualisht vendi dhe se a mendon që ka ardhur koha për ta bërë këtë, iu përgjigj interesimit të medias duke u shprehur: “Së pari, nuk është koha për të dhënë një prononcim të tillë në një eveniment si ky, ku unë kam ardhur për të respektuar. Mirëpo, për të respektuar edhe gazetarët dhe në të njëjtën kohë edhe median, unë atë gatishmëri që kam pasur gjithmonë, vazhdoj ta kem, por çështja qëndron gjithmonë te vullneti politik i partive politike”, - është shprehur Topi.
Ndërkombëtarët
U bënë gati tre muaj që opozita bojkoton Kuvendin e Shqipërisë. Përgjatë këtyre muajve situata politike në vend sa vjen e përkeqësohet. Opozita duket mëse e vendosur t’u qëndrojë deri në fund kërkesave të saj për të hapur kutitë në ato qendra votimi ku ata kanë dyshime për manipulimin e procesit zgjedhor. Ndërsa maxhoranca, nga ana e saj, nuk ka dhënë asnjë sinjal për kompromis. Përkundrazi, liderët e PD-së shprehen kategorikisht kundër kësaj kërkese të socialistëve duke kujtuar vendimin përfundimtar dhe të prerë të Kolegjit Zgjedhor. Mbi këtë situatë qëndrojnë thirrjet e vazhdueshme të faktorit ndërkombëtar në Tiranë për dialog politik mes palëve. Këtë thirrje e ka bërë ambasadori i SHBA-ve, ambasadori i OSBE-së dhe të gjithë ambasadorët e vendeve të BE-së në Tiranë. Pritet që presidenti Topi, pas deklaratës publike për të negociuar mes palëve, të marrë masa që ta kthejë në realitet këtë deklaratë, si e vetmja mundësi për të arritur kompromisin midis PD-së dhe PS-së dhe për t’i dhënë fund krizës politike në vend.

24 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›