E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: “LSI-ja, plan konkret për ta nxjerrë bujqësinë nga kriza”



Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, ka zhvilluar një tur takimesh në disa komuna të Korçës. Meta ka bashkëbiseduar me fermerët për nxjerrjen e bujqësisë nga kriza dhe krijimin e një industrie agropërpunuese, që do të garantojë hapjen e mijëra vendeve të punës për punësimin e shqiptarëve. Duke marrë shkas nga problemet me të cilat përballet fermeri sot, kreu i LSI-së e konsideroi të patolerueshme këtë situatë, ku shumë prodhime bujqësore kalben, pasi nuk ekzistojnë mundësi dhe hapësira për përpunimin dhe eksportimin e tyre. Meta tha se LSI-ja nuk do të lejojë që puna e fermerëve të shkojë dëm. Ai tha se LSI-ja ka një plan konkret për ta nxjerrë sektorin e bujqësisë nga kriza. “Shumica e parave që vijnë nga emigrantët tanë kanë shkuar përsëri jashtë, për të blerë ushqime dhe për t’i sjellë në Shqipëri, ndërkohë që qepët, patatet, mollët kalben në magazinat tuaja. Pse po ndodh kjo? Sepse shteti dhe qeveria e kanë braktisur bujqësinë”, - tha Meta. Në këtë situatë, Meta tha: “LSI-ja është e vendosur për të shumëfishuar investimet në bujqësi deri në trefishimin e tyre, në mënyrë që bujqësia të dalë nga kjo krizë. Këto investime do të përqendrohen në kanalet e kullimit dhe të vaditjes, në infrastrukturën e tokës. Ne do të zbatojmë politika mbështetëse dhe subvencionuese nga shteti, që nga farërat, plehrat kimike, punimi i tokës, investimet për makineri bujqësore, subvencionimi për njësi prodhimi. Në vëmendjen e qeverisjes së LSI-së do të jetë dhe garantimi i grumbullimit të prodhimit dhe përpunimi i tij, sepse sot në Shqipëri vetëm 10 për qind e prodhimit bujqësor përpunohet në vend dhe kjo përbën dhe një ndër arsyet e krizës së madhe në të cilën ndodhet Shqipëria. Prandaj duhet që shteti të marrë përgjegjësitë e veta. Tregu dhe qeveria duhet të ecin paralel dhe të bashkojnë avantazhet në mbrojtje të interesave të qytetarëve. Ne për këtë qeveri kemi nevojë dhe për këtë shtet kemi nevojë. Sepse nuk kemi nevojë për një qeveri, e cila kur nuk do të marrë përgjegjësi thotë se fajin e ka tregu. Unë besoj që jemi në rrugën e duhur. Besoj që të gjithë së bashku do të arrijmë më 28 qershor të ndahemi nga politika e fjalëve boshe”, - tha Meta.

14 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›