E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta në Podgoricë, takime me Presidentin dhe Kryeministrin



Shqipëria dhe Mali i Zi do të hartojnë një strategji të përbashkët për integrimin reciprok të dy vendeve. Në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Malin e Zi, zv.kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, z. Ilir Meta, u takua dje në Podgoricë me Presidentin Filip Vujanoviç dhe Kryeministrin e Malit të Zi, z. Milo Gjukanoviç. Gjatë këtyre takimeve u vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Malit të Zi dhe diskutuan për zhvillimin e mëtejshëm të tyre, veçanërisht në fushat e bashkëpunimit ekonomik, infrastrukturës dhe energjetikës. Zv.kryeministri Meta dhe Kryeministri Gjukanoviç ranë dakord për hartimin e një strategjie të përbashkët për integrimin reciprok të të dy vendeve në strukturat euroatlantike. Z. Meta, pasi shprehu mbështetjen e Shqipërisë për anëtarësimin e Malit të Zi në NATO, theksoi se bashkëpunimi i ngushtë mes dy vendeve shton garancinë e paqes dhe stabilitetit në rajon. Zv.kryeministri Meta dhe Kryeministri Gjukanoviç ranë gjithashtu dakord për ngritjen e Komitetit Ekonomik për forcimin e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve si dhe shprehën vullnetin e të dyja palëve për pastrimin dhe mirëmbajtjen e Liqenit të Shkodrës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›