Miting i vakët i Ramës në Elbasan
Stacioni i radhës i opozitës ishte Elbasani. Megjithëse kishte zgjedhur një orë të mbrëmjes për mitingun në qytetin e Elbasanit, mund të dukej qartë se ai ishte një takim i vakët dhe aspak premtues për maratonën e mitingjeve që ka ndërmend të bëjë PS-ja. Duket se qytetarët e këtij qyteti dhe pse në një orar që i gjente në shtëpi e jo në punë, kanë preferuar më mirë të pinë një kafe me miqtë apo të bëjnë shëtitje sesa të shkojnë të dëgjojnë arsyet e bojkotit të Edi Ramës dhe aleatëve të tij joparlamentarë. Një miting që gjithashtu nënkuptonte rezultatin me të cilin u nda PS më 28 qershor në këtë qark, ku humbi mbështetjen e saj të dikurshme si një bastion i majtë. Gjithsesi Rama, krerët e partive aleate dhe Spartak Ngjela që i është bashkangjitur nga e djathta në fjalimet e tyre folën për hapjen e kutive, duke këmbëngulur në vazhdimin e bojkotit dhe protestave pavarësisht sa njerëz mblidhen në këto protesta. Por kreu i PS-së ka hyrë në një debat real që po bëhet këto kohë për mundësinë e djegies së mandateve të deputetëve socialistë, për shkak të bojkotit nga ana e tyre të Kuvendit të Shqipërisë. Rama ka thënë se nuk do digjen mandatet, por ai nuk ka parashikuar një rikthim në Kuvend për të mos lejuar këtë. “Kërkojnë të përçajnë opozitën me diversione të turpshme dhe u thonë të pavërteta nga një përditë, lidhur me mandatin e deputetëve të PS, ne nuk hyjmë dhe nuk do të hyjmë në Kuvend për t’u bërë bashkëfajtor në mbylljen e syve përpara të vërtetës dramatike të 28 qershorit, por nga ana tjetër mandatet e deputetëve të Partisë Socialiste nuk digjen dhe nuk do të digjen sepse i kanë ato mandate për t’i dhënë fund zgjedhës së interesave të pushtetit familjar të Sali Berishës”, - tha Rama dje në Elbasan.