E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëri - Mali i Zi, nënshkruhen tri marrëveshje bashkëpunimi



Tri marrëveshje bashkëpunimi u nënshkruan dje në Podgoricë, mes Shqipërisë dhe Malit të Zi, në kuadër të vizitës që po zhvillon në shtetin fqinj zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, z. Ilir Meta. Z. Meta dhe homologu i tij malazez, z. Rocen, nënshkruan marrëveshjen për "Lëvizjen e ndërsjellë të qytetarëve", “Marrëveshjen e ripranimit” dhe marrëveshjen "Për rikonstruksionin, riparimin dhe mirëmbajtjen e piramidave dhe sinjalistikave përgjatë kufirit shqiptaro-malazez". Këto marrëveshje janë një hap më tej në fushën e rendit dhe të sigurisë, dispozitat e të cilave janë në përputhje me legjislacionin e Bashkimit Evropian në këtë fushë. Me anë të këtyre marrëveshjeve, jo vetëm sigurohet vazhdimësia e lëvizjes së lirë të qytetarëve të të dy vendeve, por edhe garantohet siguria e kufijve, duke parandaluar trafiqet ilegale apo lëvizjet dhe qëndrimin e paligjshëm të personave në territoret e vendeve respektive. Duke i konsideruar marrëveshjet e nënshkruara sot si një hap të rëndësishëm në marrëdhëniet mes dy vendeve, zv.kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, z. Meta, u shpreh për përfaqësuesit e mediave shqiptare dhe malazeze se "në të ardhmen do të hartohen edhe shumë projekte të përbashkëta në fushat e mjedisit, energjitikës, arsimit dhe kulturës".

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›