Tragjedia në Teksas, Berisha ngushëllon Obamën
Kryeministri Sali Berisha ngushëlloi me anë të një telegrami Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama, për tragjedinë e ndodhur në bazën e Fort Hood, Teksas, ku humbën jetën 13 ushtarakë dhe u plagosën 30 të tjerë. “Me keqardhje të thellë mësuam për ngjarjen tragjike në bazën ushtarake të Fort Hood, Teksas, ku si pasojë e goditjes së pabesë me armë zjarri humbën jetën 13 dhe u plagosën 30 ushtarakë dhe qytetarë të tjerë të pafajshëm amerikane, të cilët i ishin përkushtuar një misioni fisnik e shumë të vlerësuar. Më lejoni që, në këtë çast zije kombëtare, të ndaj me ju, qeverinë dhe kombin mik amerikan, si dhe forcat e armatosura të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, hidhërimin për humbjen e jetëve njerëzore, si edhe t’ju përcjell, në emrin tim e të qeverisë shqiptare, por edhe në emër të të gjithë shqiptarëve, ngushëllimet dhe ndjenjat më të sinqerta të solidaritetit njerëzor, për këtë humbje të madhe, për familjet e viktimave dhe kombin tuaj, si edhe t’ju uroj shërim të shpejtë për të gjithë të plagosurit. Dëshiroj t’ju siguroj se të gjithë shqiptarët ndajnë me ju, me familjet e viktimave dhe me kombin mik amerikan, dhimbjen për këtë humbje të rëndë dhe luten që shpirtrat e tyre të gjejnë paqen e amshuar”, - thuhet në mesazhin e Berishës drejtuar Obamës.