Rocen, Metës: Mali i Zi, jo ndryshim lëvizjes së lirë me Shqipërinë
Edhe pasi Mali i Zi të përfitojë liberalizimin e vizave me BE-në, ky shtet nuk do të ndryshojë regjimin e vizave me Shqipërinë dhe qytetarët shqiptarë dhe ata malazezë do të vazhdojnë të udhëtojnë pa viza drejt vendeve respektive. Kjo garanci iu dha dje në Podgoricë zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Jashtëm, Ilir Meta, nga homologu malazez, Milan Rocen. Gjatë një konference të përbashkët për shtyp, z. Meta u shpreh optimist për marrëdhëniet që ekzistojnë mes dy vendeve, duke i cilësuar ato si "model për vendet e tjera fqinje që duan të ecin në rrugën e integrimit". “Shqipëria dhe Mali i Zi kanë marrëdhënie të shkëlqyera”, - u shpreh Meta duke shtuar: "Këto vende kanë një vizion dhe një objektiv të përbashkët për të ardhmen: anëtarësimin në Bashkimin Evropian, si dhe zgjerimin e NATO-s me anëtarësimin e Malit të Zi". Meta theksoi se me anëtarësimin e Malit të Zi në NATO, bregdeti i Adriatikut do të jetë i integruar në këtë organizatë të rëndësishme dhe do të shtojë sigurinë në rajon, duke kontribuar kështu edhe në rritjen e zhvillimit ekonomik, kurse ministri i Punëve të Jashtme të Malit të Zi, z. Milan Rocen, trajtoi çështjen e lëvizjes së qytetarëve të dy vendeve duke theksuar se edhe pasi Mali i Zi të përfitojë liberalizimin e vizave me BE-në, vendi i tij nuk do të ndryshojë regjimin e vizave me Shqipërinë. Ministri i Punëve të Jashtme të Malit të Zi shprehu gjithashtu besimin se "edhe Shqipëria do të jetë së shpejti në listën e Shengenit".