E Shtunë, 31 Tetor 2026

MF: Eurobondi, jo nevojë urgjente

Ministria e Financave ndjek përditë tregjet financiare për të gjetur momentin e duhur për emetimin e eurobondit. Drejtori i Borxhit në ministrinë e Financave, Xhentil Demiri, thotë se kjo punë po bëhet në bashkëpunim me partnerët e qeverisë “JP Morgan” dhe “Dojce Bank”, dhe sipas tij tregu ende nuk është i përshtatshëm.

“Do të presim momentin që tregjet të hapen dhe normat e interesit e pritshme nga tregu është favorizuese për ne. Ky është një feedback që ne e marrim në mënyrë konstante nga menaxherët bashkëdrejtues të transaksionit të eurobondit që është “JP Morgan” dhe “Dojce Bank” dhe ne jemi cdo ditë në pozicionin që monitorimit të tregjeve financiare. Do presim momentin më oportun të mundshëm për të emetuar” thotë Demiri.

Ngutja për emetimin e eurobondit ishte për shkak se me të mund të paguhej kredia sindikale e marrë për rrugën Durrës- Kukës. Duke qenë se afati i këstit të radhës ka kaluar drejtori i borxhit nuk sheh shkak për ngutje tjetër.

“Nuk kemi asnjë urgjencë për emetimin e eurobondit. Ne do ta emetojmë në momentin që është më oportun, më i favorshëm edhe për financat publike dhe për interesin e publikut. Në rastin konkret, një nga arsyet kryesore të emetimit të eurobondit do ishte për të parapaguar kredinë sindikale që kemi marrë vjet, në një kohë shumë të vështirë financiare dhe për të përmirësuar profilin e borxhit total përsa i përket uljes së kostos së portofolit” thotë Demiri.

Shqipëria del për herë të parë në tregjet financiare botërore dhe kërkon të emetojë një eurobond deri në 400 milion euro me normë interesi deri në 8.5 për qind. Aktualisht normat e interesit në tregje janë mbi 9 për qind.

Adi Darsi

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›