Topalli, takim me delegacionin çek
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, priti dje një delegacion parlamentar çek, të cilët e uruan atë për anëtarësimin në NATO. Kryetari i Komisionit të Ligjeve në Parlamentin çek, Marek Benda, tha se tashmë rruga e Shqipërisë drejt BE-së do të jetë më e shkurtër. Zyra e shtypit të Kuvendit bëri të ditur se në takimin me Kryetaren e Kuvendit, zoti Benda e cilësoi si një koncidencë shumë të bukur këtë vizitë në Tiranë, në këtë moment historik, që u ka sjellë në memorie momente nostalgjike të anëtarësimit të Çekisë në NATO. "NATO, tha ai, nuk është thjesht një organizatë por është një bashkim shtetesh, që jetojnë në paqe e liri e që garantojnë të drejtat dhe liritë e gjithsecilit. Ndaj dhe anëtarësimi i Shqipërisë është një ngjarje e jashtëzakonshme".