E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lista, Topi fal 37 të dënuar

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, firmosi dje dekretin e faljes për 37 persona, të cilët vuajnë dënimin në burgjet tona. Zyra e shtypit të Presidentit bëri të ditur se e drejta e faljes nga ana e Presidentit të Republikës është bërë në bazë të nenit 92, pika b e Kushtetutës. Po sipas Presidencës, në ushtrimin e së drejtës së faljes, kreu i shtetit ka vlerësuar dhe është mbështetur në kritere që lidhen me shlyerjen e fajit nga i dënuari dhe rehabilitimi i tij, gjendja shëndetësore, gjinia, mosha dhe lloji i veprës penale të të dënuarit. Në bazë të dokumenteve dhe informacioneve të ardhura nga institucionet përkatëse, si dhe atyre që kërkon ligji, Presidenti i Republikës ka dekretuar faljen e plotë ose të dënimit të mbetur të të dënuarve sipas dekretit numër 6122, datë 6 prill 2009. Nga 37 të dënuarit që kanë përfituar nga dekreti i faljes së Presidentit Topi, 17 prej tyre janë gra. Ndër to spikat edhe emri i nënë Feridesë, 75 vjeçe, e cila ishte dënuar nga Gjykata e Rrethit të Fierit për mbjellje të lëndëve narkotike. Ndërkohë që ajo kishte lënë në shtëpi dy nipërit jetimë dhe në fund të vitit të shkuar, kryetari i PS-së, Rama, i kërkoi kreut të shtetit që ta falte atë. Ndërsa 20 të dënuarit e tjerë, që kanë përfituar ulje dënimi ose falje, janë burra. 15 prej këtyre të dënuarve u janë falur nga Presidenti Topi, 3 ose 4 vite burgu, ndërsa 22 të tjerëve u është falur dënimi i mbetur. Të ndarë sipas moshës, 4 persona që kanë përfituar faljen janë të moshës 20 deri në 40 vjeç. 10 persona janë të moshës nga 40 deri në 60 vjeç dhe 23 persona janë të moshës nga 60 deri në 80 vjeç. Falja e të dënuarve, të cilëve u ka mbetur pak kohë nga dënimi i tyre dhe nuk kanë kryer krime shumë të rënda, është bërë tashmë një ritual i përvitshëm nga presidentët shqiptarë. Nga e drejta e faljes të të dënuarve, çdo fund viti, mbërrijnë në zyrën juridike të Presidentit të Republikës dhjetëra kërkesa të familjarëve të të dënuarve, të cilët plotësojnë dokumentacionet e duhura për të kërkuar më pas faljen nga kreu i shtetit. Kërkesa të shumta depozitohen edhe pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, e cila, pasi plotëson dokumentacionin e duhur, ia dorëzon ato zyrës juridike të Presidentit të Republikës. Më pas është kjo zyrë e cila shqyrton me seriozitet të gjitha kërkesat për të dhënë vendimin. Nuk përfitojnë falje dhe kërkesat e tyre nuk merren parasysh personat që kanë kryer vrasje, trafik të qenieve njerëzore, përdhunime, trafik droge, trafik të organeve etj. Një vit më parë, Presidenti Topi fali rreth 31 të dënuar për krime të lehta, pjesa më e madhe e të cilëve ishin gra dhe minorenë. Ajo çka vihet re është se këtë vit, në listën e Presidentit mungojnë emrat e të miturve.

Rasti

Historia e dhimbshme e nënë Feridesë

E moshuara Feride Bako vuante dënimin në burgun 325 në Tiranë për kultivim bime kanabisi, gjetur në shtëpinë e saj në një fshat të Fierit. Feride Bakos i vdiq djali në një aksident rrugor në Greqi dhe në shtëpi i la dy jetimë. Përtej kësaj, nëna e jetimëve nuk kujdesej për ta, duke i lënë në mes të rrugës. Bashkëshorti i vdiq teksa Ferideja vuante dënimin në burg, ngjarje që e bëri edhe më të rëndë situatën. Dy djemtë, 9 dhe 14 vjeç, nuk shkonin më në shkollë teksa përpiqeshin të siguronin jetesën. Zanafilla e gjithçkaje ishte një grup pensionistësh që shkuan në burg, duke e ndihmuar me nga 200 lekë si solidaritet dhe që atje doli dhe nisma për t‘i bërë kërkesë për falje Presidentit Topi. Kreu i opozitës, së bashku me stafin e tij pak ditë para vitit të ri, shkoi në burgun 313 për ta takuar të moshuarën 75-vjeçare, pasi kishte kërkuar leje nga Presidenti i Republikës që ajo ta kalonte festën e fundvitit në shtëpinë e saj bashkë me dy nipërit që tashmë kishin mbetur jetimë. Vetë kryetari Rama, me makinën e tij, e shoqëroi nënë Feridenë drejt fshatit të saj në Fier, duke e bashkuar për pak ditë me dy nipërit e mitur.

BOX

Reagimi

Rama përshëndet

vendimin e Topit

Kryetari i Partisë Socialiste shprehu dje kënaqësinë e veçantë për lirimin nga burgu të nënë Feridesë dhe të grave të tjera që përfituan nga falja e Presidentit të Republikës. "Më në fund, zëri i atyre mijëra njerëzve që firmosën peticionin për lirimin e nënë Feridesë, u dëgjua", u shpreh Rama. Teksa uroi që rasti në fjalë të shërbejë për të nxitur politika më largpamëse zhvillimi e përkrahjeje të zonave të varfra të vendit dhe të familjeve të varfra të këtyre zonave, kryetari Edi Rama i uron shëndet e mbarësi familjes së ribashkuar të Feride Bakos.

Përfituesit

1. Abedin Spaho Reshlani, mosha 69 vjeç, i dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor të Fierit, i falen 3 vjet nga dënimi i mbetur

2. Ali Hider Caca, mosha 70 vjeç, i dënuar nga Gjykata e Rrethit të Kurbinit, i falen 3 vjet nga dënimi i mbetur

3. Arsime Ruko, mosha 57 vjeçe, e dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor të Gjirokastrës, i falet dënimi i mbetur

4. Arsela Zhdanov Veli, mosha 29 vjeçe, e dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor të Sarandës, i falen 3 vjet nga dënimi i mbetur

5. Aurora Breçani, mosha 22 vjeçe, e dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor të Tiranës, i falet dënimi i mbetur

6. Donika Bektash Kanaj, mosha 51 vjeçe, e dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor të Vlorës, i falet dënimi i mbetur

7. Emerli Hamit Ndreu, mosha 71 vjeç, dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor të Tiranës, i falen 2 vjet nga dënimi i mbetur.

8. Eglijana Patok, mosha 23 vjeçe, e dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor të Fierit, i falet 1 vit nga dënimi i mbetur

9. Feride Arif Bako, mosha 75 vjeçe, e dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor të Fierit, i falet dënimi i mbetur

10. Floresha Veli Malaj, mosha 46 vjeçe, e dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor të Vlorës, i falet dënimi i mbetur

11. Geg Shuk Ndreca, mosha 78 vjeç, i dënuar nga Gjykata e Rrethit të Lezhës, i falen 4 vjet nga dënimi i mbetur

12. Gjylstane Tefik Elmazi, mosha 49 vjeçe, e dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor të Gjirokastrës, i falet dënimi i mbetur

13. Hito Nevrus Zogaj, mosha 74 vjeç, i dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor të Vlorës, i falet dënimi i mbetur

14. Idajete Alush Myrtaj, mosha 64 vjeçe, e dënuar nga Gjykata e Rrethit të Fierit, i falet dënimi i mbetur

15. Inxhi Xhezo Xhaferraj, mosha 48 vjeç, dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor të Vlorës, i falet dënimi i mbetur

16. Lavdije Shaban Haluli, mosha 37 vjeçe, e dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor të Tiranës, i falet dënimi i mbetur

17. Marash Pal Nika, mosha 75 vjeç, i dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor të Pukës, i falet 1 vit nga dënimi i mbetur

18. Mersin Halit Dani, mosha 77 vjeç, i dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor të Dibrës, i falen 4 vjet nga dënimi i mbetur

19. Milika Mynyr Hoxhaj, mosha 51 vjeçe, e dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor të Vlorës, i falet dënimi i mbetur

20. Nazmi Jonuz Frasheri, mosha 66 vjeç, i dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor të Shkodrës, i falen 2 vjet nga dënimi i mbetur

21. Nazif Dane Lleshi, mosha 71 vjeç, dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Gramsh, i falet dënimi i mbetur

22. Ndue Gjergj Gega, mosha 74 vjeç, i dënuar nga Gjykata e Rrethit të Kurbinit, i falen 5 vjet nga dënimi i mbetur

23. Nikoll Pjeter Perjaku, mosha 83 vjeç, i dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor të Lezhës, i falet dënimi i mbetur

24. Nuro Sheme Gjonzenelaj, mosha 72 vjeç, i dënuar nga Gjykata e Rrethit të Vlorës, i falet dënimi i mbetur

25. Nush Lush Paloka, mosha 72 vjeç, i dënuar nga Gjykata e Rrethit të Shkodrës, i falet 1 vit nga dënimi i mbetur

26. Qamil Dane Ferro, mosha 73 vjeç, i dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor të Fierit, i falet dënimi i mbetur

27. Riza Hysen Dani, mosha 73 vjeç, i dënuar nga Gjykata e Rrethit të Bulqizës, i falen 4 vjet nga dënimi i mbetur

28. Sabri Murat Dedja, mosha 77 vjeç, i dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor të Matit, i falen 4 vjet nga dënimi i mbetur

29. Sadik Bajram Nezaj, mosha 73 vjeç, i dënuar nga Gjykata e Rrethit të Tropojës, i falen 2 vjet nga dënimi i mbetur

30. Spiro Kamber Muçaj, mosha 65 vjeç, i dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor të Vlorës, i falet dënimi i mbetur

31. Sulejman Ymer Kasmi, mosha 74 vjeç, i dënuar nga Gjykata e Rrethit të Kurbinit, i falen 5 vjet nga dënimi i mbetur

32. Shqiponja Hoxhe Bylyshaj, mosha 40 vjeçe, e dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor të Vlorës, i falet dënimi i mbetur

33. Shkurte Sali Kozi, mosha 61 vjeçe, e dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Renda, i falet dënimi i mbetur

34. Xhevahire Sherif Velija, mosha 41 vjeçe, e dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor të Elbasanit, i falet dënimi me burgim

35. Xhevrie Sabri Zykaj, mosha 42 vjeçe, e dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor të Fierit, i falet dënimi i mbetur

36. Ylvije Jaup Nuredinaj, mosha 53 vjeçe, e dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor të Vlorës, i falet dënimi i mbetur

37. Zarife Sinan Ymeraj, mosha 61 vjeçe, e dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor të Vlorës, i falet dënimi i mbetur



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›