E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi, mesazh Obamës: Eja në Shqipëri!

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i dërgoi dje një mesazh falënderimi Presidentit të SHBA-së, Barak Obama, për mbështetjen e dhënë për Shqipërinë në rrugën e anëtarësimit në NATO. Kreu i shtetit e ftoi sakaq Obamën për një vizitë zyrtare në vendin tonë. Në mesazhin e Presidentit Topi thuhet se "pjesëmarrja për herë të parë e Shqipërisë si anëtare me të drejta të plota më 3-4 prill 2009, në Samitin e Strasburg-Kehl të Aleancës së Atlantikut të Veriut dhe ceremonia e dorëzimit nga ana Juaj e Kopjes së Traktatit të Uashingtonit që shënoi krijimin e Aleancës, e pasuruar me protokollin e anëtarësimit të Shqipërisë, më emocionoi e në të njëjtën kohë më bëri të ndihem krenar që ndodhesha përkrah mikut më të madh të Shqipërisë, Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, vendit, që kaq shumë besoi në aspiratën historike të popullit shqiptar për t‘u integruar". Në emër të popullit shqiptar, Presidenti Topi i shpreh Presidentit të SHBA-së falënderimet më të sinqerta dhe mirënjohjen më të thellë për kontributin e jashtëzakonshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Aleancë. Pas besimit të dhënë ndaj Shqipërisë duke e futur në familjen e NATO-s, Presidenti Topi gjen rastin ta sigurojë Presidentin Obama se Shqipëria, brenda familjes së saj të re, do të sillet si e barabartë dhe e denjë për të dhënë kontributin e saj në sfidat e reja për liri, demokraci e siguri rajonale e globale. Duke treguar se Shqipëria ka qenë dhe do të mbetet një vend mik për SHBA-në, Presidenti Topi e ka ftuar zotin Obama të vizitojë vendin tonë. "Dëshiroj t‘Ju siguroj, President Obama, se angazhimi i diplomacisë, i burimeve civile të Shqipërisë dhe i Forcave tona të Armatosura, përvoja e të cilave është shumë serioze, do të vihen në shërbim të përballjes së përbashkët, si në planin dypalësh ashtu edhe në atë global, për të ndërtuar një botë më të mirë për kombet, civilizimet dhe të ardhmen e tyre", thuhet më tej në mesazhin e falënderimit të Presidentit Topi drejtuar Presidentit të SHBA-ve. Sipas kreut të shtetit shqiptar, Bamir Topi, "Shqipëria ndihet sot më e sigurt për të ardhmen e saj, sepse mbështetja e mikut dhe aleatit të saj më të madh, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është më afër se asnjëherë tjetër në historinë e popullit shqiptar". Topi ka pasur një përshëndetje dhe shtrëngim duarsh të ngrohtë në Samitin e Strasburgut me Presidentin Obama, i cili i dorëzoi atij protokollin e anëtarësimit me të drejta të plota në strukturat e NATO-s. Ky ka qenë takimi i parë mes Presidentit Topi dhe Presidentit Obama. Tashmë Shqipëria është anëtare me të drejta të plota në strukturat e NATO-s dhe sot do të ngrihet flamuri në selinë e Aleancës në Bruksel.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›