Topalli: Anëtarësimi, një ngjitje që kërkonte shumë kurajë
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, në një intervistë të dhënë për "Top Channel" nga Strasburgu, u shpreh se anëtarësimi në NATO është një moment kulmor, kur Shqipëria mbyll periudhën e tranzicionit politik. Për Topallin, me këtë anëtarësim, u mbyll një histori e vështirë që filloi në vitin 1992, në atë kohë kur Shqipëria i kërkoi NATO-s të anëtarësohej. Por çështja ka kaluar në disa faza, në shumë iniciativa, në rrugëtim, në rrugë drejt ngjitjes. Një ngjitje që kërkonte kurajë dhe, sipas saj, mbi të gjitha kërkonte një lidership të fortë dhe që konkludohet sot këtu në Strasburg. E pyetur se cilat janë meritat kryesore që i njihni qeverisë së PD-së në këtë arritje, Topalli tha se "PD-ja e filloi në vitin 1992 këtë proces, e vazhdoi kur hyri në partnershipin për paqe në vitin 1994, e vazhdoi me reformat që i bëri vendit në atë periudhë me mbështetjen që i dha misioneve në Bosnjë me të gjitha marrëveshjet që u votuan në Parlament në vitet e mëpasshme, në dërgimin e trupave në Afganistan, në Irak dhe në vendet e tjera". Sipas Topallit, sot Shqipëria është një vend i sigurt dhe kjo shkruhet në deklaratën e përbashkët. Ajo theksoi se çdokush që mund të mendojë se mund të kërcënojë Shqipërinë, apo ndonjë vend tjetër, ai do të mbrohet nga e gjithë kjo aleancë. "Unë, tha më tej Topalli, besoj se shqiptarët e meritojnë këtë, që u bë e mundur për shkak të suksesit të reformave dhe të vullnetit të fortë. Pa dyshim, vijoi Kryetarja e Kuvendit, vendet e NATO-s na kanë dhënë një peshë të jashtëzakonshme, megjithëse Shqipëria është një vend i vogël. "Kjo do të thotë se procesi vazhdon, sfidat janë të mëdha në mënyrë të veçantë në këtë moment të vështirë të krizës globale dhe po t‘i rikthehemi deklaratës të përbashkët të sotme të këtij Samiti, një ndër pikat është edhe detyrimi i përbashkët për të përballuar së bashku këtë sfidë të madhe, të vështirësive dhe të kërcënimit që vendet tashmë dhe bota njeh nga kriza globale", u shpreh Topalli. Pra, shtoi ajo, edhe koncepti i mbrojtjes dhe i sigurisë nuk është i njëjtë si ai që ka qenë disa vite më përpara, një koncept ushtarak, është një koncept që përfshin të sigurt të tërë elementët, ndër të cilët edhe problemet ekonomike, problemet politike, problemet e reformave sociale dhe më tej.