Kreu i qeverisë pret shirita në Strumë dhe Kuman të Fierit
Kryeministri Sali Berisha, në vazhdim të turit të tij elektoral, kreu ndalesën e radhës në fshatrat Strum dhe Kuman të Rrethit Fier. I shoqëruar dhe nga përfaqësues të pushtetit vendor, kreu i qeverisë përuroi përfundimin e rrugës Kuman-Vidhisht, e cila ka një shtrirje rreth 4 km, me një vlerë rreth 18 milionë lekë. Në fjalën e tij, Berisha i garantoi banorët e zonës se gjatë mandatit të ardhshëm zonat rurale do të jenë prioritet i qeverisjes së tij. "Ne kërkojmë votën për projektet e mëdha që kemi përpara, ne kërkojmë votën sepse duam të ofrojmë infrastrukturën më moderne, shkolla, ujësjellës, kanalizime, rrugë. Ne kemi treguar se nuk dimë vetëm të premtojmë, por dhe të realizojmë. Unë sot shoh një Kuman të ndryshuar, shoh një Fier të ndryshuar, shoh shpresë në sytë tuaj dhe kjo për mua thotë shumë, aq sa duhet të thotë edhe për ju", nënvizoi kreu i qeverisë. Më pas Kryeministri vizitoi Strumën për të përuruar fillimin e punimeve të dy rrugëve në këtë komunë, rrugës Strumë-Fier dhe Kuz-Strumë, duke u ndalur më tej në prerjen e shiritit të shkollës së re të këtij fshati. "Me prerjen e këtij shiriti ne i kemi hapur dyert e shkollës 9-vjeçare të gjithë fëmijëve të fshatit Strum, që të mësojnë afër shtëpive të tyre në ambiente komode me kabinete, si dhe salla kompjuteri. Që sot fëmijët e këtij fshati do të kenë shkollën e tyre dhe nuk do t‘u duhet të shkojnë në fshatin tjetër për të kryer mësimin", deklaroi Berisha, i cili gjatë fjalës së tij nuk ka lënë pa përmendur investimet e tjera të qeverisë së tij në infrastrukturën rrugore, në ndërtimin dhe rikonstruksionin e dhjetëra shkollave, kopshteve, ujësjellësve. "Gjatë katër viteve të fundit investimet kanë përmirësuar ndjeshëm jetën e banorëve të zonave rurale", tha Berisha.