Kush është më "lart" se Gjykata e Lartë?!
Faktikisht, gjë më "të lartë" se Gjykata e Lartë nuk ka në një shtet juridik. Madje, edhe në vende me demokraci "të thjeshtë", por që kanë vendosur rregulla të egra që të ruajnë statusin e lirisë, siç është për shembull SHBA, Gjykata e Lartë po të dojë rrëzon më të "lartin", Presidentin e 53 shteteve. Ata burra e gra që ulen në atë poltron quhen "supremë", ose më popullorçe për ata që kanë lexuar ndonjë libër, "anëtarë të Olimpit". Dhe kjo e ka një logjikë dhe një paramendim. Një "tufë" burrash e grash të veshur me "togat e zeza" duhet të vendosin për ca gjëra që s‘ju jep dot "drejtim" as i ndershmi e as i korruptuari. As politika dhe as paraja. Prandaj janë (ose duhet) "supremë", domethënë "hyjnorë", me një imunitet dhe prestigj aq të madh saqë askush s‘duhet të artikulojë fjalinë: "Këta vendosin me dy standarde". As analfabeti në fshatin më të fundit të Shqipërisë s‘duhet ta thotë se ATA mendojë e veprojnë me dy kute dhe jo më juristët me zë. Duket se ka një problem që faktikisht s‘ka të bëjë as me Bashën, as me shqiptarizmin dhe aq më pak me antishqiptarizmin. Kush e "kontrollon" Gjykatën e Lartë?! Ose më saktë, ata që paguhen si anëtarë të Gjykatës së Lartë, kur ngrenë dorën, te kush "paguajnë" nëse gabojnë?! Po të bësh një bilanc të kujdesshëm të lajmeve të aktualitetit në këto 18-19 vite të shpërndara nga media të ashtu vetëpagëzuara si profesioniste dhe të lira, Gjykata e Lartë përmendet aq pak, sa do të krahasohej si "inferiore" edhe me komisariatin e policisë së ndonjë vendi ku krime të rënda ndodhin njëherë në dekadë, si Erseka apo Përmeti për shembull. Madje edhe zëdhënëse për median dhe shtypin vetëm këto 3-4 vitet e fundit kanë vendosur... Të mbyllësh një çështje që kushton 230 milionë euro në kurriz të taksapaguesit, vetëm për "arsye procedurale", nuk është ndonjë mëkat, sepse një ditë ato do paguhen, ndoshta edhe pas 100 vitesh. Por debati ka hapur një çështje shumë madhore: nëse 5 anëtarë të kolegjit manipulohen ose "hipnotizohen", si i bëhet?!