E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama vijon turin në veri, ndalon në Has

Kreu i socialistëve, Edi Rama, vijoi dje turin e tij në veri të vendit. Gjatë takimit me qytetarët në Has, Rama tha se "Sali Berisha ditën e inaugurimit të rrugës (Durrës-Kukës) do të jetë në pension. Do e ftojmë, vijoi ai, dhe do i japim mundësinë të presë një pjesë të shiritit të saj. "Interesat tona patriotike, strategjia jonë e zhvillimit ekonomik, këto të lidhura me rrugën Durrës-Kukës nuk mundet të përdoren dhe të abuzohet për të fshehur një grabitje me përmasa të mëdha", u shpreh Rama. Me fondet e grabitura nga rruga, nënvizoi Rama, mund të ishte rindërtuar i gjithë rrjeti rrugor i Qarkut të Kukësit dhe përtej Qarkut të Kukësit. "Mund të ishin lidhur me rrugën kryesore të gjitha fshatrat, të gjithë bujqit e fermerët që kaq të shumtë në numër dhe kaq shpesh në raste detyrohen t‘i varrosin prodhimet e tyre për shkak se nuk i nxjerrin dot në treg nga mungesa e rrjetit rrugor në radhë të parë", theksoi Rama. Partia Demokratike reagoi dje përmes zëdhënëses Erla Mëhilli, duke i bërë Ramës dy pyetje. "Përse në 8 vjet me radhë partia jote jo vetëm që nuk e filloi rrugën, por s‘bëri asnjë kilometër të saj? Ku shkuan z.Rama 200 milionë dollarë taksë në vit që u vendos nga qeveria jote në kohën kur ti ishe ministër dhe asnjë qindarkë e saj nuk u përdor për këtë qëllim?", tha Mëhilli.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›