Kreu i shtetit, Shehu: PS po bën zhurmë politike
TIRANË Një prej deputetëve të grupit parlamentar të PD-së, Tritan Shehu tha dje se mazhoranca i ka votat për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit. "PD do të paraqitet me kandidatin e saj dhe ne shpresojmë e jemi të bindur që presidenti i ardhshëm do të jetë kandidati i PD-së, pasi të tillë janë numrat e mekanizmat në Parlamentin shqiptar, të tilla janë dhe resurset që ka Partia Demokratike brenda saj",- tha Shehu. Sipas tij, nuk është e nevojshme që partitë t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për interpretimin e kuorumit.
"Për kuorum ka nevojë atë ditë zgjedhja e komisionit të votimit, i cili ka nevojë për 71 veta prezentë, pastaj ai zgjidhet me 1 plus gjysmën e atyre që janë në sallë. Të gjithë këto histori bien ndesh me rregulloren e Parlamentit, pra nuk qëndrojnë. Kjo është arsyeja pse ata zotërinj që ngrenë këtë zhurmë nuk kanë ndërmend ta çojnë as në Gjykatë Kushtetuese, se nuk fitojnë gjë atje, është thjesht një zhurmë politike që ata ngrenë",- thotë Shehu.