E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës, pranga policit për shpërndarje heroine

Operacioni

DURRËS- Një polic i burgut të Rrogozhinës është arrestuar nga kolegët e tij të Durrësit me akuzën e shitjes së heroinës. Burimet zyrtare të policisë pohuan se gjithçka ka nisur pas arrestimit të një shpërndarësi të thjeshtë. Ai është Besnik Tarko, lindur në fshatin Gradishtë, Lushnje dhe banues në Durrës.

Vetë i arrestuari ka pranuar se është marrë me shitje lëndësh narkotike por në këtë veprimtari ka implikuar edhe një polic që bënte shërbimin në burgun e Rrogozhinës. Policia ka arrestuar edhe kolegun e tyre të implikuar në shitje narkotikësh, Arif Konja. Fillimisht polici ka mohuar çdo lidhje me Tarkon por më pas ka pranuar gjithçka. Sipas hetuesve të çështjes, Tarko kishte kohë që ndiqej nga agjentët e antidrogës.

Ai dyshohej se ishte një nga shpërndarësit e narkotikëve në zonën e Pallatit të Sportit në Durrës. Për këtë agjentët e kishin ngritur një kurth dhe kanë pritur deri sa ai t'i shiste një personi lëndën narkotike.

Në këtë moment ata janë hedhur në veprim duke i vënë prangat. Kontrolli i ushtruar ka zbuluar edhe sasinë prej rreth 16 gramësh heroinë e bërë gati për shitje. Gjatë marrjes në pyetje Tarko tha se drogën ia kishte dhënë polici i burgut të Rrogozhinës, Arif Konja.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›